Benfika humbi edhe ndeshjen e dytë të grupit D në Champions League. “Shqiponjat e Lisbonës” u mposhtën 1-0 në “San Siro” nga Interi, që iu fal golit të francezit Thuram për të regjistruar suksesin e parë.
Trajneri gjerman i Benfikës, Roger Schmidt uroi kundërshtarët për fitoren, ndërkohë që shprehu pakënaqësinë e tij për gjykimin e takimit. Duke pretenduar për një penallti të mohuar nga kryesori holandez Makkelie.
“Komplimente Interit, e merituan fitoren.
Ata krijuan më shumë mundësi të pastra shënimi, kjo nuk mohohet. Mendoj se ndeshja ndryshoi shumë në pjesën e dytë.
Në të parën luajtëm mirë, por na mungoi një penallti e pastër në rastin Barella-Neres. Ndërkohë që zikaltrit nuk na kishin rrezikuar shumë.
Në 45 minutat e dyta humbëm shumë topa dhe Interi krijoi shumë raste. Trubin (portieri) na shpëtoi nga një humbje më e thellë. Duhet ta pranojmë këtë humbje”, theksoi Schmidt.