Krahu i djathtë shqetëson Inzaghin

Futboll

Krahu i djathtë shqetëson Inzaghin

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 20:17

Te Inter përballen me një mini emergjencë në krahun e djathtë. Denzel Dumfries nuk është stërvitur me skuadrën në seancën e kësaj të marte, teksa pas nxehjes holandezi është ulur në stol dhe rrezikon që të lihet jashtë për të pushuar për ndeshjen me Salzburgun në Champions League.

Pa Pavard që do të rikthehet pas rreth dy muajsh dhe me Cuadradon ende jashtë fushe, Inzaghit i mbeten vetëm dy lojtarë për dy pozicionet në këtë krah. Mateo Darmian, i cili pritet të bëjë mesfushorin e pestë, ndërkohë që kandidohet për ta nisur si titullar në mbrojtje për të parën herë Yann Bisseck.

Inzaghi duket i destinuar të mbetet me dyshime deri pak para ndeshjes për sa i përket formacionit. Për shkak të dëmtimeve të Cuadrados Dumfries ka qenë një ndër lojtarët më të aktivizuar deri tani, dhe është e kuptueshme që të lihet për një ndeshje pushim për të karikuar bateritë.

Darmian pritej edhe më parë që të luante për shkak të dëmtimit të Pavard, por kuroziteti më i madh është rreth Bisseck që deri tani ka luajtur vetëm 8 minuta, 7 kundër Monzës në ndeshjen e parë të kampionatit, dhe 1 kundër Torinos në fund të tetorit. Për gjermanin e lindur në vitin 2000 i blerë për 8 milionë euro në verë, ka ardhur momenti të tregojë vlerat e tij.

Ndërkohë trajneri do të bëjë rotacion edhe në pozicione të tjera me Carlos Augusto që pritet të jetë në krahun e majtë në vend të Dimarcos, ndërkohë që studion edhe mundësinë për të hedhur si titullar Sanchez, apo atë për të lënë pushim Barellën duke hedhur në vend të tij Frattesi ndërkohë që mediat italiane bëjnë të ditur se Calhanoglu do të jetë titullar, me Asllanin që pritet të ketë mundësinë e tij nga stoli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat