Kukësi do të udhëtojë në Laç për të sfiduar kurbinasit në sfidën e javës së 18-të të Superiores, takim që do të luhet ditën e shtunë në orën 13:00. Një duel mjaft interesant mes dy ekipeve që do të luftojnë “dhëmb për dhëmb” për 3 pikët e kësaj jave.
Derbi i Veriut premton spektakël dhe gjithmonë ka qenë i luftuar dhe i tillë pritet të jëtë mjaft i luftuar. Interesant do të jetë edhe për Stavri Nicën, i cili do të rikthehet në Laç për herë të parë që pas largimit nga bardhezinjtë.
Verilindorët do të tentojnë fitoren e dytë ndaj Laçit në këtë sezon, teksa sfida e fazës së parë mes tyre ka përfunduar 1-0 për skuadrën e Nicës. Por Kukësi di se si fitohet nga kurbinasve, pasi statistikat flasin në gjuhën e tyre.
Në 5 ndeshjet e fundit, verilindorët kanë marrë 5 fitore. Kukësi ia ka dalë të shënojë 8 gola, ndërsa kurbinasit kanë shënuar vetëm 1 herë në portën e verilindorëve.
Mbetet të shihet ditën e premte nëse Kukësi do të vazhdojë të thellojë këto statistika, apo bardhezinjtë e Mirel Josës do t’i japin fund “agjërimit”.