E kishte bllokuar që disa muaj më parë dhe tashmë ka ardhur koha që Barcelona të mund të shijojë Vitor Roque.
Spanjollët paguan 40 milionë euro në arkat e Club Athletico Paranaense për të siguruar shërbimet e sulmuesit të talentuar.
18-vjeçari ka zbarkuar pak orë më parë në Barcelonë dhe nesër do të zhvillojë stërvitjen e parë me skuadrën e tij të re. Prezantimi i sulmuesit është programuar në datën 3 janar, ndërsa një ditë më pas braziliani mund të debutojë me fanellën e Barçës përballë Las Palmas.
Vitor Roque konsiderohet si një nga sulmuesit e rinj më premtues dhe do të jetë një armë më shumë në dispozicion të Xavit në repartin e avancuar. Mbetet për t’u parë nëse talenti brazilian do të përshtatet shpejt me futbollin europian, pasi kjo është eksperienca e tij e parë larg vendlindjes.