Vllaznia vazhdon me ritmin e kampionit, duke mundur kësaj radhe në shtëpi Tiranën, në atë që cilësohet “klasikja” e futbollit shqiptar, me rezultatin 3-1, e vlefshme për javën e 26-të të Superiores.
F.Hazisllari
Kuqeblutë e bënë akoma dhe më të bukur festën e përgatitur nga shkodranët për këtë takim, duke e nisur sfidën në mënyrën më të mirë.
Goli i parë erdhi me Juriç në minutën e 21’, ndërsa Balaj shënoi dhe të dytin në fundin e pjesës së parë.
Pjesa e dytë nisi sërish me shkodranët më dominues, por bardheblutë arritën të shkurtonin diferencën në minutën e 78’ me Nikqin. Por kjo shpresë “u thye” brenda dy minutash, me Balajn që realizoi në gol një penallti të fituar nga Sala.
Kështu Vllaznia ngjitet sërish në vendin e dytë me 46 pikë, tre më pak se Egnatia kryesuese. Nga ana tjetër, Tirana vazhdon të vuajë, duke u renditur në vendin e gjashtë me 35 pikë dhe duke qëndruar kështu jashtë zonës së “Final 4”.