Trajnerin e Ballkanit, Ilir Daja, e ka gëzuar fitorja në udhëtim te Feronikeli 74 të shtunën gjatë ditës.
Ai ka thënë se fitorja ka ardhur me shumë vështirësi, por e rëndësishme është që suharekasit e vazhdojnë rrugëtimin drejt një tjetër titulli.
“Kishim shanse për ta çuar rezultatin në epërsi prej dy apo tre golave.
Në pjesën e dytë dolëm nga loja jonë. Si duket ndikuan zëvendësimet e detyrueshme që duhej të bënim. E rëndësishme është që vazhdojmë rrugëtimin dhe marrja e trepikëshit këtu nuk është e lehtë.
Edhe Feronikeli kishte objektivat për ta shmangur zonën e barazhit. Feronikeli bëri gjithçka në pjesën e dytë dhe la hapësira prapa. Sigurisht që ne patëm fatin me vete dhe në disa momente ka mundur edhe të barazohej loja”, ka deklaruar trajneri Daja.