FSHF harron Sokol Cikalleshin pas tërheqjes nga Kombëtarja

Futboll

FSHF harron Sokol Cikalleshin pas tërheqjes nga Kombëtarja

Më: 31 maj 2024 Në ora: 14:02
Sokol Cikalleshi

Të martën, vetëm tri ditë më parë, Sokol Cikalleshi njoftoi tërheqjen nga Kombëtarja shqiptare!

Një vendim që erdhi për shkak se sulmuesi mbeti jashtë listës së Europianit, edhe pse ishte një nga kontribuuesit kryesor në kualifikimin që skuadra arriti gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, kavajasi respektoi zgjedhjet e trajnerit dhe pa bërë polemika, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale vendosi ta mbyllë kapitullin me ngjyrat kuqezi. Një rrugëtim 10 vjeçar, që prej 31 majit 2014, kur ai debutoi me De Biazin në ndeshjen miqësore kundër Rumanisë dhe sot, 31 maj 2024, për të s’ka asnjë falënderim minimal nga askush në Federatën Shqiptare të Futbollit për të gjithë kontributin që ka dhënë për ekipin përfaqësues.

Faqja zyrtare nuk harron të urojë ditëlindjen e të gjithë kuqezinjve, madje edhe të atyre që s’grumbullohen prej më shumë sesa një viti në ekip, por nuk i del koha për një postim në shenjë mirënjohjeje për Sokol Cikalleshin, i cili ka veshur 60 herë fanellën e Kombëtares shqiptare dhe ka shënuar 13 gola, i katërti në listën e golashënuesve në historinë e Shqipërisë, pas Erjon Bogdanit, Alban Bushit dhe Ervin Skelës. Ndoshta, përgatitjet e Europianit janë shumë intensive dhe Sokol Cikalleshi është harruar padashje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat