Pas vetëm një viti larg Shkodrës, Erdenis Gurishta rikthehet të jetë pjesë e Vllaznisë dhe të veshë sërish fanellën kuqeblu.
Ashtu siç lajmëroi edhe SuperSport para disa ditësh, mbrojtësi anësor e mbylli me CSKA-në e Sofias në Bullgari dhe rikthehet sërish te klubi që e formoi si futbollist.
Është vetë klubi shkodran që konfirmoi rikthimin e Gurishtës me fanellën e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm futbollistik.
“SuperSport” mëson se në Shkodër, ish-kapitenin e Vllaznisë e pret një kontratë 2-vjeçare për të vijuar karrierën në Shqipëri, në vendlindjen e tij. Gurishta, me skuadrën “kuqeblu” ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë duke qenë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të dekadës së fundit te shkodranët.