Largimi i Melih Ibrahimoglu peshon shumë te Egnatia

Futboll

Largimi i Melih Ibrahimoglu peshon shumë te Egnatia

Më: 19 korrik 2024 Në ora: 12:36
Melih Ibrahimoglu

Eliminimi dramatik në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve u përjetua me zhgënjim të madh tek Egnatia, që fitoi 2-1 në kohën e rregullt, por penalltitë e nxorën jashtë.

Përveç eliminimit, mërzia ishte e dyfishtë, sepse Egnatia ka humbur edhe një futbollist mjaft cilësor, si Melih Ibrahimoglu. Turku ishte më i miri në fushë në “Elbasan Arena”, ku shënoi edhe golin e parë për rrogozhinasit. Mesfushori me tipare sulmuese është shitur në Turqi, te Koniaspori, ku luan edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi. Ibrahimoglu ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me klubin turk, që insistoi për ta marrë nga Egnatia.

Klubi rrogozhinas fiton financiarisht, por në anën tjetër humb një element, zëvendësimi i të cilit do të jetë shumë i vështirë.

Në fundin e sezonit të kaluar turku ishte në formë optimale dhe shënoi gola shumë të rëndësishëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në fitimin e titullit të parë në histori nga rrogozhinasit.

Edhe kundër Borac Banja Lukës ai ishte nga më të mirët në fushë, prandaj dhe largimi i këtij futbollisti e ka prishur jo pak humorin në kampin rrogozhinas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat