Klubi i Brightonit nuk heq dorë nga Brajan Gruda.
“Pulëbardhat”, gjithmonë të gatshëm në kërkimin dhe afrimin e lojtarëve të rinj e të talentuar, prej ditësh po tentojnë marrëveshjen me lojtarin me origjinë shqiptare.
20-vjeçari mbylli një sezon shumë të mirë në rrafshin personal me Mainzin në Bundesliga, ku përveç lojërave pozitive gjeti edhe 4 herë rrugën e rrjetës.
Gruda ka luajtur me të gjithë kombëtaret e moshave të Gjermanisë, ndërkohë që është grumbulluar por akoma nuk ka debutuar me ekipin e parë.
Por sipas shtypit do të jetë në listën zyrtare të Julian Nagelsmann në grumbullimet e radhës të 4 herë kampionëve të botës. Pasi Gruda cilësohet si një ndër të rinjtë më premtues të futbollit gjerman.
Drejtuesit e Brightonit kanë nisur bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit, me këtë të fundit që është i gatshëm të transferohet në ishull.
Asnjë problem nuk ka në lidhje me marrëveshjen personale, por duhet gjetur gjuha e përbashkët me Mainzin.
Klubi gjerman nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e sulmuesit të djathtë, që gjithsesi shpreson të nisë një “ankand” për të. Për të përfituar sa më shumë nga shitja e tij.