Zhbllokohen bisedimet mes Bolognas dhe Arsenalit në lidhje me Riccardo Calafiorin.
Qendërmbrojtësi mbylli një sezon fantastik me ekipin emilian, që siguroi rikthimin në Champions League pas 60 vitesh.
22-vjeçari bëri mirë edhe me kombëtaren italiane, duke qenë ndër të paktat nota pozitive të skuadrës së kaltër në Euro Gjermani 2024.
Dhe e ardhmja quhet Arsenal. Nënkampionët e Anglisë kanë intensifikuar bisedimet me Bolognan, ndërkohë që negociatat kishin ngecur në ditët e fundit.
Operacioni total i transferimit të Calafiorit në Premier League do të prekë shumën 50 milionë euro.
Palët po merren me detajet e fundit dhe është çështje kohe zyrtarizimi i futbollistit nga Roma tek ekipi i Mikel Artetës.