Shkëndija e Tetovës ndalet në barazim 1:1 në duelin me Rabotniçkin në duelin e xhiros së dytë në LPFMV. Autogoli i Alomeroviqit dhe realizimi i Mazarit fiksuan rezultatin final në Tetovë.
Shkëndija – Rabotniçki 1:1 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Alomeroviq autogol 26’ (Shkëndija), ndërsa Mazari 53’ (Rabotniçki)
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, Cake, Meliqi, Ëebster (Merxhani 46’), R. Ramadani, Qaka (Ahmedi 73’), Krasniqi (F. Ramadani 60’), Shala (Jakupi 85’), Ibraimi (c), Ademi (Krstevski 73’).
Trajner: Jeton Beqiri
RABOTNIÇKI: Aleksovski, Belica (c), Alomeroviq (Llazareviq 82’), Rashid, Adem, Dalei (Danev 79’), Gando (Petkovski 79’), Mazari, Manojlov, Dimitrievski, Kagimu (Nikollovski 66’).
Trajner: Goran Staniq.
Shkëndija nuk shkon më shumë se një barazim 1:1 me Rabotniçkin në duelin e parë si vendas të sezonit të ri në elitën e futbollit vendor. Pas fitores 3:1 në fushë të Besës javën e shkuar, sot xhiroja e dytë nuk solli rezultatin e pritur, pasi kemi ndarë pikët me Rabotniçki në një duel ku avansuam me autogolin e Alomeroviqit në pjesën e parë, derisa në start të së dytës, Mazari fiksoi shifrat finale 1:1, me kuqezinjtë që patën më shumë shanse shënimi, derisa në rezultat 0:0 Rabotniçki humbi një penalti me Mazarin që çoi topin në shtyllë.
4-4-2 ishte vendosja e trajnerit Beqiri, që në krahë të majtë titular kishim Krasniqin, në sulm dyshja Ibraimi-Ademi, derisa në portë sërish filloi Amzai. Rabotniçki befasoi me startin sulmues dhe në minutën e 8-të ishim me fat kur Dalei fali gabimin e Qakës duke goditur skaj portës në situatë ballë për ballë me portierin Amzai, kurse në minutën e 17-të fati u tregua sërish me ne kur Mazari nga penaltia goditi shtyllën, pasi paraprakisht Meliqi ndali me dorë një goditje drejt portës. Kuqezinjtë pranuan kërcënimin dhe shpeshtuan sulmet duke arritur të kalojmë në epërsi në minutën e 26-të me një nga golat më të çuditshëm që kemi parë në Tetovë.
Ibraimi provoi nga distanca, derisa topi pasi u përplas në shtyllë nga trupi i portierit Aleksovski shëtiti në vijën fatale duke u rrokollisur deri te shtylla tjetër, ndërsa Alomeroviq në tentimin për të pastruar vetëm futi topin në rrjetë për 1:0. Edhe pse u duk e qartë se ishte autogol, në moment të parë arbitrat e regjistruan si gol të Ibraimit, për ta përmirësuar më vonë dhe goli zyrtarisht shënohet si autogol.
Shkëndija krijoi tjera mundësi për 2:0 që do të na kishte ndihmuar të mbyllnim ndeshjen, mirëpo Ibraimi në dy raste u ndal nga Aleksovski, derisa në minitën e 36-të portieri mysafir mrekullisht ndali aksionin e bukur të Krasniqit dhe Shalës.
Fillimi i pjesës së dytë nuk ishte në lartësinë e duhur për tanët që lejuan të humbnim epërsinë pas vetëm 8 minutave lojë.
Harkimi në zonë gjeti të pambuluar në shtyllë të dytë Mazarin, me struganin që përmirëson veten pas penaltisë së humbur dhe tani me kokë barazon në 1:1.
Nga ky moment rivali u tërhoq i kënaur me barazim, derisa Shkëndija edhe pse provoi me aksione e zëvendësime, fatkqësisht nuk arriti të sjellë ndryshim, pasi në kushte kur Rabotniçki mbrohej me gjitha forcat, goditjet tona nga distanca nuk sollën efektin e dëshiruar, duke u detyruar në fund të shtrijmë dorën për ndarje të pikëve me barazim final 1:1.
Fundjavën e ardhshme Shkëndija do të luajë si mysafirë në Strumicë me Brerën.