Nuk do të ketë asnjë “goditje” të madhe në minutat e fundit për Barcelonën.
Presidenti Joan Laporta i ka thënë lamtumirë, së paku për momentin, ëndrrës për ta transferuar njërin prej Nico Williams e Rafael Leao, dy lojtarë të cilët i kishte vënë në llupë gjiganti katalunas.
Nuk do të ketë kështu asnjë “levë” të aktivizuar në orët në vazhdim, e cila do të ishte e mjaftueshme dhe do ta mundësonte blerjen e një lojtari të madh, në mënyrë që t’i përshtatej “fair-play” financiar, të imponuar nga La Liga.
“Blaugrana” e kishin objektiv kryesor yllin e Athletic Bilbaos, Nico Williams, i cili shkëlqeu në Euro 2024 me Spanjën, por që ky i fundit mbeti në ekipin bask.
Barça shpresonte që ta mbyllte sa më shpejt të jetë e mundur marrëveshjen me kompaninë e veshmbathjeve, “Nike”, në mënyrë që me ato para ta blinte një lojtar të madh, por që kjo marrëveshje pritet të finalizohet vetëm në ditët e para të shtatorit.
Kështu, Barça duhet të kënaqet me angazhimin e Dani Olmos, të cilin e bleu nga Leipzigu.
Klubi spanjoll arrin në dy ditët e fundit të afatit kalimtar me manovra eventuale të limituara.
Drejtori sportiv, Deco do të mundohet ta gjejë një zgjidhje për ta përforcuar sadopak ekipin, por që nuk priten prurje të mëdha në “Camp Nou”.