Shihet si përforcim i kombëtares kuqezi

Futboll

Shihet si përforcim i kombëtares kuqezi

Më: 5 shtator 2024 Në ora: 14:53
Pamje nga prezantimi

Luis Hasa, nënshkrimi i ri i Lece, u prezantua në një konferencë për shtyp nga drejtori sportiv, Stefano Trinchera.

Shqiptyari i lindur në Itali do të bëhet pjesë e ekipit, ku tashmë luajnë edhe dy kuqezinj: Ylber Ramadani e Medon Berisha.

Madje, në listën e klubit të Serie A figuron edhe një shqiptar tjetër, Dario Daka, 20 vjeç, që luan si sulmues.

Pra, te Lecce bëhen bashkë një grup shqiptarësh. Kujtojmë se Hasa është në radarët e kombëtares sonë kuqezi, edhe pse ka luajtur me kombëtaret e moshave, madje është shpallur kampion Europe me axurrët U-19.

Ja fjalët e drejtorit sportiv të Lecce: “Hasa është një djalë italo-shqiptar, i datëlindjes 2004. Ai vjen nga Juventusi në mënyrë të përhershme, 30% të rishitjes së ardhshme e kanë mbajtur bardhezinjtë. Një lojtar me perspektivë të madhe, protagonist në fitimin e Kampionatit Europian me kombëtaren italiane U-19. Thuhen shumë gjëra të mira për të. Neve na pëlqen të punojmë me të rinjtë”.

Më pas nisën pyetjet për Hasën.

Pse zgjodhët Lecce?

Të gjithë më folën mirë për këtë klub, sepse iu jep mundësinë djemve të rinj. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe do të bëj gjithçka që mundem për ta ndihmuar ekipin. Kam shumë dëshirë, kam qenë gjithmonë në pritje për të luajtur në Serie A. Do të punoj si gjithmonë fort, jam i sigurt se puna e vështirë do të shpërblehet.

Cilin rol në fushë preferoni të mbuloni?

Unë jam sulmues anësor, por mund të luaj role të shumta. Më pëlqejnë lojtarët e shkurtër, që janë të mirë me topin, si Bernardo Silva.

Si erdhi kjo lëvizje?

Edhe unë prita deri në minutën e fundit. Ishte surprizë, por sapo mora vesh për interesimin e Lecce, isha vërtet i lumtur.

Sa e rëndësishme ishte për ju të luanit me ‘Next Gen’?

Serie C është një lloj kampionati ndryshe nga ai i Primavera. Marrëdhënia me të mëdhenjtë nuk është e lehtë. Besoj se të kesh një ekip të dytë mund të ndihmojë shumë në rritjen e të rinjve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat