Tifozët nuk i ndalën vërshëllimat

Futboll

Tifozët nuk i ndalën vërshëllimat

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 14:04
Deschamps

Francë-Belgjikë ishte një përballje mes dy përfaqësueseve në krizë identiteti, mbi të gjitha “djajtë e kuq” që tranzicioni në përfaqësuese nuk po realizohet lehtë.

Në një moment shumë të vështirë ndodhej edhe Franca ku kritikat ndaj Deschamps sa vijë e shtohen, duke detyruar këtë të fundit të bënte një ndryshim rrënjësor në formacion teksa la në stol lojtarë si Theo Hernandez, Griezmann dhe Mbappe.

Në shtëpinë e tyre, “gjelat” ishin dukshëm më kërkues dhe pas disa tentative arritën të gjenin golin e avantazhit me Kolo Muani.

Me fillimin e pjesës së dytë, Dembele me një aksion personal realizoi një super gol duke dyfishuar shifrat.

Deschamps hodhi në fushë edhe Mbappe, me sulmuesin e Real Madrid që kërkoi golin në çdo formë, por pa sukses duke bërë që rezultati të mbetej i pa ndryshuar.

Pavarësisht suksesit 2-0, tifozët nuk i kursyen vërshëllimat ndaj ekipit, por ky detaj u driblua nga Deschsmps në konferencë për shtyp: 

“Nuk i dëgjova, gjithsesi, kritikat janë pjesë e lojës.

Personalisht, tek unë nuk kanë asnjë efekt, por ata janë tifozë të përfaqësueses franceze, nëse vërshëllejnë do të thotë që nuk janë të lumtur, kjo është e drejta tyre, por nuk besoj se kjo është në të mirë të skuadrës”, u shpreh Deschamps duke bërë në fund edhe një koment për Mbappe:

“Kylian është mirë, sigurisht, si të gjithë lojtarët nuk është ende në 100%. Me ne ai merr përsipër të gjithë rolin e tij si kapiten, nuk kam asnjë shqetësim me Mbappe”, theksoi Deschamps.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat