Szczesny “përmbytet” nga mesazhet e tifozëve të Barcelonës

Futboll

Szczesny “përmbytet” nga mesazhet e tifozëve të Barcelonës

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 12:24
Szczesny

Porta e Barcelonës është në pritje të një “gardiani” të ri, pas lëndimit të tmerrshëm të Ter Stegen, i cili do ta humbasë pjesën e mbetur të sezonit. Teksa drejtuesit bëjnë llogaritë për të zgjedhur zëvendësuesin e gjermanit, tifozët katalanas nuk kanë dyshime. Ata madje kanë nisur punën për rikthimin në fushë të Wojciech Szczesny, ish-portierit të Juventusit, i cili një muaj më parë vendosi të tërhiqej nga bota e futbollit.

Mund të jetë “kërcimi i fundit” i mrekullueshëm i polakut në një ekip që ka dëshpërimisht nevojë për të fituar diçka, pas sezonit të kaluar bosh. Me trajnerin Flick, më në fund skuadra blaugrana ka gjetur sërish rrugën e duhur. Rrjetet sociale të ish-portierit polak janë mbushur me mesazhe të fansave balugrana, nga e gjithë bota, të cilët thuajse i luten atij ta ndërpresë “pensionin” për të filluar aventurën e tij të fundit të madhe.

Edhe pse ka disa emra të mëdhenj të gatshëm për të marrë “stafetën” e Ter Stegen, të gjithë tifozët e Barcelonës kanë në mendje vetëm Szczesny. Për ta, polaku është portieri ideal për ta zëvendësuar Ter Stegen në këtë sezon shumë fatkeq. Dhe ata nuk humbën kohë për t’ia dorëzuar mesazhin marrësit.

Fotografia e fundit e publikuar nga portieri polak në Instagram, e cila e portretizon gjatë nderimeve të Juventusit për “pensionimin” e tij, u pushtua nga komentet e blaugranëve, që e thërrisnin me zë të lartë. “Barcelona ka nevojë për ju”, – shkruajnë shumë në anglisht, spanjisht dhe madje edhe polonisht për t’u siguruar që të kuptohen sa më mirë.

Të gjithë janë dakord se ai është transferimi i lirë më tërheqës në treg, pavarësisht se teknikisht ka vendosur të tërhiqet dhe për këtë arsye të mos luajë më. Barcelona po bën vlerësimet e saj mes profileve të ndryshme, madje edhe disave që, si Szczesny, i kanë “varur dorezat në gozhdë” prej disa kohësh.

Për momentin polaku nuk i është përgjigjur asnjë prej mesazheve dhe nuk ka nënkuptuar asnjë të dhënë që mund të sugjerojë një hapje ndaj Barçës, e cila absolutisht dëshiron të përshpejtojë procedurat për të mos rrezikuar të mbetet shumë gjatë pa një portier të nivelit të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat