Futbollisti i Gjilanit Armend Thaqi është paraqitur në konferencën për media para sfidës kampionale ndaj FC Prishtinës, e vlefshme për xhiron e shtatë në kampionatin Albi Mall Superliga.
Rezultatet nuk janë ato të cilat ishin pritur dhe për këtë janë të vetëdishëm edhe futbollistët, teksa Thaqi jep sinjale për bashkëlojtarët për të reaguar.
“Jemi gjithë të vetëdishëm që skuadra nuk e ka marrë atë të cilën e ka punuar në seancat stërvitore, apo atë që e ka treguar në fushën e lojës. Që nga koha kur kam ardhur këtu e kam parë një punë shumë të madhe, një ritëm i lartë në seancat stërvitore dhe kjo na jep garanci që ekipi do të marr për atë që do të jap”, shtoi fillimisht Thaqi.
“Nuk jemi në pozitë të mire dhe pikët nuk janë pasqyrë e asaj që është punuar këtu.
Por, futbolli ndonjëherë nuk të jep atë të cilën e meriton. Është koha që gjithsecili të thërrasim njëri tjetrin, ta thërrasim veten dhe të bashkohemi për ta kthyer Gjilanin drejt rezultateve pozitive, sepse puna është e madhe dhe duhet marrë rendimentet e saj”, ndër të terash potencoi anësori i djathtë.
Thaqi i cili edhe më parë ishte pjesë e klubit, potencoi faktin se ka pranuar ofertën me dëshirën më të madhe, teksa ka shtuar që së bashku me bashkëlojtarët e tij duhet ta nxjerrin ekipin në rrugën e rezultateve pozitive.
“Futbolli është një lojë kolektive, i vetëm nuk mund të bëj asgjë. Duhet të jemi gjithë së bashku dhe të luftojmë për të arritur rezultatet, pasi që organizimi dhe puna brenda klubit është në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha Thaqi për faqen e SC Gjilanit.