Ardian Nuhiu, kryetrajner i Gjilanit, është shprehur optimist që ekipi do të rikthehet te rezultatet pozitive, teksa para mediave në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Prishtinës theksoi se rendimentet e punës do të vijnë.
“Nuhiu ka folur për duelin e së dielës, teksa e vlerëson lartë kundërshtarin, por thotë se ekipi tij duhet të zgjohet për të filluar ecurinë e rezultateve pozitive”, njofton SC Gjilani.
“Përballemi me një skuadër e cila lufton shumë, por unë brenda grupit tim kam parë një atmosferë dhe disponim shumë të mirë gjatë gjithë javës. Futbollistët kanë punuar jashtëzakonisht mirë dhe po e presim me shumë dëshirë këtë ndeshje. Kam besim që kjo ndeshja do jetë pika kthese e jonja. Motivi dhe performanca e lojtarëve gjatë gjithë javës më bën të besoj shumë”, potencoi Nuhiu.
Shefi shtabit teknik kërkoi mbështetje nga tifozët për duelin e së dielës.
“Gjithashtu kërkoj nga tifozët tanë “Skifterat” që të vijnë të na mbështesin në numër sa më të madh sepse në fund të gjithë së bashku u gëzohemi sukseseve”.
Ndeshjet e tilla si kjo ndaj Prishtinës vetëm se e forcon skuadrën, pasi që ekipi është gati për t’u përballur me ballafaqime të mëdha.
“Vështirësitë i rritin personalitetet. Duke njohur grupin dhe skuadrën time, me shumë guxim dhe personalitet i presim sfidat e tilla. Në momentet më të vështira na vijnë ndeshjet e forta dhe këtu duhet tregojmë karakter dhe autoritet. Jemi të bindur që nga ndeshja e nesërme do jetë kthesa e skuadrës dhe do i shërbejë ekipit për vazhdimësinë”, shtoi Nuhiu.
I pari i stolit te skuadra gjilanase theksoi që grupi është i gatshëm për të dhënë maksimumin, pasi që të gjitha parakushtet për të arritur te rezultatet pozitive janë arritur.
“Të gjitha parakushtet janë të krijuara për të arritur rezultatet, duke nisur nga drejtuesit, nga stafi, nga futbollistët të gjithë i kanë kryer detyrat e tyre dhe me të drejtë presin edhe ardhjen e rezultateve. Besoj fuqishëm, e para për shkak të kualitetit të grupit dhe te puna e madhe që është duke u bërë. Do të shkojmë te ambicjet, por numërimin do e bëjmë në fund”.
Në fund, Nuhiu falenderoi drejtuesit e klubit për besimin ndaj tij, ndërkohë që ripotencoi edhe njëherë besimin që ai personalisht ka për bashkëlojtarët e tij.
“Duhet t’i falenderoj drejtuesit për durimin dhe besimin e dhënë. Kemi nisur një projekt tre vjeçar dhe normalisht që duhet kohë edhe për futbollistët, por edhe për të gjithë. Po të hapet afati kalimtar i futbollistëve prap do të zgjidhja të njejtë futbollistë. Kam besim të madh te ky grup dhe pres që nga ndeshja e nesërme të rikthehemi te rezultatet pozitive”, përfundoi Nuhiu.
Takimi ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës zhvillohet të dielen nga ora 15.00 në stadiumin ndihmës në Gjilai.