Fonseka shpëton

Futboll

Fonseka shpëton

Më: 9 tetor 2024 Në ora: 12:20
Pamje

Pas humbjes së katërt në nëntë ndeshjet e para të sezonit (dy në Serinë A dhe dy në Ligën e Kampionëve), rastësisht i njëjti rrugëtim i Lopeteguit me Uest Hemin, gjithçka duket e heshtur në “Casa Milan”.

Asnjë frymë nuk filtron për të ardhmen e Paulo Fonsekës: disa pëshpëritje dhe asgjë më tepër, sikur trajneri të mos ishte në qendër të polemikave në këtë moment apo një temë për t’u diskutuar. Dhe pikërisht kjo është çështja. Triada e “Djallit” Furlani, Monkada dhe Ibrahimoviç këtë herë po udhëtojnë pa drojë në të njëjtin drejtim: Tekniku portugez, tani për tani, nuk do të preket.

Janë lojtarët, fajtorë për një qëndrim joadekuat dhe po ata që duhet të japin përgjigje të sakta dhe të menjëhershme. Të gjithë pa përjashtim. Gjithashtu sepse në disfatën e Firences kishte gabime në gjithçka të mundur: nga agresioni shumë i qortueshëm tek vetëmenaxhimi i penalltive e deri te gabimet individuale dhe nervozizmi që i kushtoi Teo Hernandezit kartonin e kuq pas fishkëllimës së fundit. Një shfaqje jashtë normale dhe logjikës, e papranueshme por edhe tepër e papjekur. Diçka serioze, me një fjalë.

NËN AKUZË – Jo se Fonseka ishte plotësisht i pafajshëm, që të jemi të qartë. Disa nga zgjedhjet e tij sigurisht që kanë ngritur dyshime (pse zëvendësimet e Leaos dhe Pulisiç?) dhe kontribuojnë në distancimin e ekipit, apo një pjesë të ekipit, nga trajneri. Është e vërtetë, megjithatë, se nuk ishte ai që i ekzekutoi penalltitë dhe se gafa e bujshme e Tomorit me rastin e golit të Gudmundsonit nuk është pjesë e atyre momenteve të një ndeshjeje që mund të studiohet në tavolinë.

E thënë ndryshe, nëse humbet dhe pëson gol në rivënien e portierit nuk është më çështje korrigjimi i taktikave, por për të kuptuar se cili është niveli teknik i lojtarëve. Megjithatë, në fund të fundit, edhe këto “dobësi” zënë vendin e dytë në këtë moment. Drejtuesit e klubit pyesin, nëse ka ndonjë gjë, se si është i mundur ky vetë-menaxhimi i dukshëm dhe nëse ka një shkëputje të vërtetë dhe të rëndësishme midis ideve të Fonsekës dhe ekipit. Një Milan që herë duket se është në krah të trajnerit e në herë të tjera sikur po ecën në rrugën e vet . Qëndrimi dhe fokusi janë ana tjetër e kësaj medalje.

VENDIMET – Sjellja e Teo, për të cekur vetëm për atë më të dukshmen, nuk u pëlqye aspak, por pothuajse asnjë nga lojtarët që doli në fushën e Firences nuk i shpëtoi kritikave. Ndoshta vetëm Gabia e pjesërisht Pulisiçi. Fofana dhe Menja deri diku.

Në disa momente të ndeshjes – gjithmonë shumë pak – Rafa Leao. Për pjesën tjetër, asgjë pozitive për të raportuar ose pothuajse asgjë. Për këtë arsye, nga Ibra në te Monkada, duke kaluar nga Furlani, këtë herë fokusi zhvendoset në mënyrë të vendosur te organika, e sidomos ata që luajnë më shpesh.

Pakujdesia dhe mungesa e profesionalizmit nuk do të tolerohen më. Dhe për pasojë besimi i trajnerit konfirmohet sërish. Të paktën deri herën tjetër (pauza e nëntorit mund të jetë një kohë e mirë për një vlerësim të parë) dhe nëse nuk ka ndryshime të papritura të skenarit. Sepse kur çdo gjë është e heshtur, ndonjëherë, diçka edhe lëviz. Dhe gjithçka befas bëhet e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat