Gazeta franceze “L’Equipe” në edicionin e sotëm (e enjte) ka zbuluar të gjitha detajet e “luftës” mes Kylian Mbappe dhe njeriut të parë të Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelaifi.
Dyshja punonin së bashku me kushtet më të mira, u nënshkruan kontrata rekord, por dashuria e tyre filloi të shpërbëhej në qershor të 2023.
Gjithçka kulmoi me largimin e Mbappe te Reali dhe një padi për 55 milionë euro, të cilat futbollisti i kërkon ish-klubit të tij për paga dhe shpërblime të papaguara.
“L’Equipe” zbulon detajet tronditëse dhe ekskluzive të prishjes së raportit, i cili u shoqërua me kërcënime, lot dhe më në fund një epilog gjyqësor.
Gjithçka filloi kur Mbappe i dërgoi një letër klubit ku njoftonte largimin e tij nga PSG dhe se ai nuk do të rinovonte kontratën. Njoftimi u bë i vërtetë një vit më vonë kur lojtari nënshkroi për Real Madridin.
Në shkurt të këtij viti, Mbappe kërkoi një takim privat me Al Khelaifin dhe i konfirmoi presidentit të tij se nuk do të nënshkruante kontratë të re me PSG-në.
I pakënaqur me lajmin, Al Khelaifi e kërcënoi Mbappen se nuk do të nënshkruajë kurrë kontratë me Realin në jetë dhe se do të bëjë gjithçka që kjo të mos ndodhë.
Miliarderi nga Katari nuk mundi ta parandalonte, por tensioni rritej dita-ditës.
Më pas, Al Khelaifi u përpoq ta pengonte Mbappen që të mos luante sërish për PSG-në dhe trajneri Luis Enrique e zvogëloi ndjeshëm kohën e tij të lojës pas fillimit të “luftës”.
Pronari i PSG-së kujtoi se Mbappe duhet t’i falë klubit 55 milionë euro “sepse ia ka premtuar”.
Pas kësaj, futbollisti refuzoi një takim me Al Khelaifin në shtëpinë e tij.
Konflikti përloti edhe vëllain e vogël, Ethan Mbappe, i cili sapo po luftonte për të vendosur emrin e tij në futbollin botëror. Futbollisti i ri, i cili luante për juniorët e PSG-së, mori kërcënime nga Al Khelaifi se nuk do të luante kurrë për ekipin e parë.
Në maj, gjatë xhiros së fundit të Ligue 1, Al Khelaifi urdhëroi trajnerin që të mos e ftojë më kurrë Ethan Mbappe në ndeshje. Kylian pa vëllain e tij të vogël duke qarë në dhomat e zhveshjes, pas së cilës një debat i ashpër shpërtheu në ambientet e klubit. Me atë rast, Kylian i tha Al Khelaifit se nuk do t’i falte kurrë 55 milionë eurot e diskutueshme.
Që të gjitha fjalët e “L’Equipe” kanë kuptim, vërtetohet nga fakti se i riu Ethan Mbappe u largua menjëherë nga klubi dhe nënshkroi falas për Lille, ku luan sot.
Kur Kylian Mbappe u largua nga PSG, ai dërgoi një mesazh lamtumire për të gjithë në klub, nga lojtarët, tifozët, te punonjësit e klubit, por jo për Nasser Al Khelaifi.