Futbolli dhe sporti i Kosvës kaloi nëpër teh të shpatës në vitet e 90-ta, duke u përballur me dhunën e regjimit serbë.
Pavarësisht kësaj, në asnjë rrethanë nuk u ndalen, duke i zhvilluar garat dhe në ato kushte të rënda, nga FFK kërkuan që të jenë pjesë e UEFA-së.
“Letërkëmbimet e para ndërkombëtare!
Kryesia e FFK-së me t’u konsoliduar dhe me fillimin e garave kampionale në Kosovë u angazhua seriozisht që
FFK-ja të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtare.
Së këndejmi sipas dokumenteve që janë gjendur në arkivin e FFK-së, hasim letrën e parë drejtuar UEFA-s më 26 qershor 1992, ku kryetari i FFK-së Agim Bytyçi e njofton këtë asociacion në pika të shkurtra për zhvillimin e futbollit në Kosovë, vështirësitë dhe aparteidin që po ushtronte Serbia ndaj Kosovës, në veçanti ndaj sportistëve dhe iu drejtua me kërkesën që FFK-ja të bëhet anëtare e UEFA-s.
Në këtë letër kryetari Bytyçi e njofton UEFA-në për strukturën organizative të FFK-së, për numrin e klubeve dhe kampionin (KF Prishtina) dhe fituesin e kupës (KF Trepça).
Duket se UEFA kanë shqyrtuar këtë letër, por nuk kemi ndonjë letër nga ana e saj për ndonjë përgjigje ekzakte.
Mirëpo, nga disa reagime në shtypin shqiptar të asaj kohe, por edhe të atij serb hasim se Lenart Johanson, kishte projektuar që në ciklin e Kupës së Kampionëve (kështu quhej atëherë Liga e kampionëve), të ketë edhe skuadra përfaqësuese nga Kosova.
Sipas këtij projekti në ciklin garues 94/95 në mesin e 128 skuadrave do të merrte pjesë edhe kampioni i Kosovës.
Këtë lajm e jep edhe gazeta e vetme “Bujku” i datës 27 mars 1993.
Ndërkaq reagimi i Serbisë sipas gazetës sportive serbe “Sport” i datës 26 mars 1993 ishte tepër frustrues. “I UEFA nam kroji granice” (Edhe UEFA po na i përcakton kufijtë“) - ishte titulli i kësaj gazete, e cila citonte gazetën italiane “Gazetta dello sport”, se tashmë Johansoni i ndihmuar nga sekretari tij Aigner, kishin projektuar që si sheti i 51-të Kosova të ketë përfaqësuesin e saj në kupën e kampionëve.
Por, na letërkëmbimin me kryetarin e UEFA-s Lenart Johamson, të cilit i janë drejtuar drejtuesit e FFK-së më 12 prill 1993 shihet se e kanë falënderuar z. Johanson dhe sekretarin Gerhard Aigner për kujdesin e treguar.
Bashkë me këtë letër ku edhe një herë i është kërkuar pranimi i FFK-së në UEFA i është dërguar edhe Statuti i atëhershëm i FFK-së. Ndaj kësaj letre nga UEFA vjen përgjigja e 4 majit 1993 të dërguar nga ana e sekretarit të UEFA-s Gerhard Aigner, ku sugjeron drejtuesit e FFK-së që së pari t’i drejtohen FIFA-s për pranim dhe pas pranimit në këtë institucion, KE i UEFA-s do të shqyrtojë kërkesën e pranimit në UEFA, me një vërejtje se Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së.
Pas marrjes së kësaj përgjigjeje, drejtuesit e FFK-së sërish më 4 qershor duke falënderuar për letrën e 4 majit, i kërkojnë drejtuesve të UEFA-s, që kërkesën e FFK-së për pranim ta shqyrtojnë në Kongresin e radhës që sipas informatave duhet të mbahej në fund të qershorit 1993, duke i kërkuar që të merr pjesë edhe një delegacion nga FFK-ja. Madje për këtë qëllim FFK-ja kishte kërkuar nga Këshilli Qendror për Financim i Kosovës mjete për udhëtim i cili u kishte lejuar 1.500 marka.
Më 16 qershor, FFK-a sërish me një letër njofton krerët e UEFA-s për përfundimin e Kampionatit të Kosovës, duke bërë të ditur se kampioni i Kosovës për edicionin 92/93 është KF Trepça nga Mitrovica, ndërsa fitues i kupës së Kosovës KF Flamurtari.
Dokumente nuk gjejmë ndonjë letërkëmbim tjetër deri më 26 janar 1994, ku FFK-ja sërish i dërgon letër UEFA-s me çrast ky asociacion njoftohet jo vetëm për garat, por edhe për dhunën serbe që ushtrohej ndaj sportistëve të Kosovës me këtë rast të futbollistëve.
Më 27 dhjetor 1992, kryesia e FFK-së, kishte përkrahë nismën e gazetarit Gani Ajeti, që të vihen kontakte me Federatën e Futbollit të Gjermanisë dhe e kishin autorizuar atë që ta bëjë këtë, por nuk ka njohuri nëse një gjë e tillë ka ndodhur, të paktën nuk ka ndonjë dokument zyrtar.
Drejtuesit e FFK-së i kishin dërguar një letër për bashkëpunim edhe Federatës së Futbollit të Turqisë, të cilët kishin dhënë mbështetje për FFK-në, duke kërkuar edhe një takim zyrtar, por nga dodokumentet ekzistuese nuk bëhet e ditur si ishte realizuar ndonjë takim me palën turke apo jo... “, shkruan në librin e FFK-së – “1991 – 2011 20 vjet mëvetësim”.