Edhe pse loja e tij nuk mjaftoi për t’i dhënë fitoren Barcelonës dhe ndalur serinë e rezultateve të dobëta në La Liga,
Pedri tregoi performancë spektakolare kundër Getafes. Përveç pasimit të jashtëzakonshëm për golin e Jules Koundé, mesfushori nga Tenerife tregoi edhe një herë se jo vetëm ka rikuperuar nivelin me të cilin magjepsi botën e futbollit kur debutoi në elitë, por e ka tejkaluar atë.
Në një fushë të vështirë si ajo e “Coliseum Alfonso Pérez”, Pedri shkëlqeu dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes (MVP).
Gjatë ndeshjes, veçanërisht pas asistit të përmendur për Koundé në golin që hapi rezultatin (i cili nuk u regjistrua si asist për shkak të disa rikoshetave dhe përplasjes me portierin David Soria), Gerard Piqué nuk mundi të mos shprehte admirimin e tij për talentin e Pedrit. “Pedri është një skandal”, – shkroi Piqué në katalonisht në rrjetin social ‘X’, një postim që shpejt u bë ‘viral’.
Piqué, edhe pse është tërhequr nga futbolli aktiv dhe është fokusuar plotësisht në projektet e tij biznesore, vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me klubin e zemrës. Në këtë rast, ai nuk i kurseu fjalët e mira për mesfushorin, i cili e përfundoi ndeshjen me statistika mbresëlënëse: 96 ndërhyrje në lojë, 68/79 pasime të sakta (86%), një krosim, katër topa të gjatë të saktë, dy driblime dhe gjashtë duele të fituara në 90 minuta.
Pedri është padyshim motori i Barcelonës së drejtuar nga Flick dhe trajneri gjerman e di këtë shumë mirë.
Në prag të ndeshjes ndaj Getafes, kur u pyet për mundësinë e pushimit të Pedrit, Flick u përgjigj me humor: “A do t’i thuash ti të pushojë? Unë jo”.