Gjatë intervistës së dhënë për “France Football”, mesfushori i Milanit, Tijjani Reijnders, u ndal te klubi ku bën pjesë: “Është një klub i jashtëzakonshëm, një nga më të mirët në botë. Është nder të luaj këtu, sidomos kur e njeh historinë e holandezëve te Milani. Van Basten, Gullit, Rijkaard…, jam shumë krenar që vesh të njëjtën fanellë me ta.
Jeta këtu është e këndshme, familja ime është shumë e lumtur në Milano. Ushqimi është i shkëlqyer, ka shumë parqe të bukura. Qyteti është i mbushur me futboll. Rivaliteti me Interin është shumë i fortë, është bukur ta jetosh derbin e Madoninës kur je futbollist. Që nga dita e parë kam ndjerë mbështetje të paepur nga tifozët kuqezinj.
Në klub jam pritur shumë mirë, sidomos nga Zlatan Ibrahimovic. Ai kujdeset për secilin prej nesh. Nëse një lojtar ka një problem, ai është aty për të, i jep këshilla… Disa herë vjen në dhomën e zhveshjes për të na motivuar.
Na jep forcë dhe na shtyn të punojmë si skuadër, të mos jemi egoistë. Kemi nevojë për këtë, sepse Serie A është një kampionat shumë i mirë, shumë ndryshe nga ‘Eredivisie’ në intensitetin taktik, cilësinë e lojtarëve.
Në një vit e gjysmë këtu kam mësuar shumë gjëra të reja, sidomos nga ana taktike. Atmosfera e bukur në grup më ndihmon, Milani është si një familje. Kam marrëdhënie të shkëlqyer me Youssouf Fofana, shokun tim të udhëtimit.
Përndryshe, në dhomën e zhveshjes, argëtohem me Malick Thiaw dhe anglezët Tammy Abraham, Fikayo Tomori, Ruben Loftus-Cheek. E kaloj shumë mirë edhe me ‘vëllain’ tim nigerian, Chukwueze. T’i shohësh të gjitha këto kultura që bashkohen është diçka e mrekullueshme”.
Në këtë intervistë, holandezi tregoi edhe ndryshimet e tij si futbollist, pas kalimit në Serie A: “Kam pasur një lloj ndryshimi si futbollist, jam shumë më i vendosur tani. Më parë isha shumë i nxituar, kështu që kam punuar në këtë aspekt. Kam bërë shumë ushtrime për gjuajtje dhe, me babain dhe vëllain, kemi rishikuar ndeshjet e mia për të analizuar sjelljen time përpara portës.
Sot jam shumë më i pranishëm në fushë dhe, më e rëndësishmja, kam fituar më shumë qetësi. Kur arrij në zonën sulmuese, e di çfarë të bëj. Kam shënuar golat e mi të parë, kam fituar besim dhe gjithçka ka ndryshuar.
Statistikat e mia më kanë vënë në qendër të vëmendjes, por kjo është një gjë pozitive; do të thotë që po luaj mirë. Kjo nuk më krijon asnjë presion shtesë. Çdo herë që dal në fushë, buzëqesh, sepse jam shumë i lumtur që luaj. Kam kënaqësi sepse, deri tani, nuk kam pësuar asnjë lëndim të vogël.
Qëllimi im më i madh është të fitoj sa më shumë trofe të mundshëm. Nëse luaj futboll, e bëj për ta shkruar emrin tim në librat e historisë. Shpresoj që kjo të jetë e mundur te Milani, me të cilin do ta zgjeroj (rinovoj) kontratën time së shpejti.
Të jem një ditë kandidat për ‘Topin e Artë’ është ëndërr, sigurisht, sepse tregon shumë. E gjitha do të varet nga paraqitjet e mia dhe nga trofetë që do të fitoj. Nëse vazhdoj të punoj fort për të qenë lojtari më i mirë i mundshëm në çdo ndeshje, të punoj fort për ekipin dhe të jem vendimtar, do të jetë e lehtë të nominohem për këtë çmim prestigjioz”.