Duka i bindur: Në Londër për fitore, jo për turizëm

Futboll

Duka i bindur: Në Londër për fitore, jo për turizëm

Më: 12 mars 2025 Në ora: 11:07
Armand Duka

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuari i parë në “Nazarko Podcast”, një format i ri që sapo ka nisur, nën moderimin e Mentor Nazarkos dhe Oneda Skënderit.

Gjatë bisedës, Presidenti Duka foli për rrugëtimin e tij në krye të Federatës, rritjen e institucionit, rolin e tij në UEFA dhe ndryshimet që kanë ndodhur në futbollin shqiptar. Ai theksoi se FSHF ka kaluar një transformim të madh gjatë dy dekadave të fundit, duke u zgjeruar si institucion dhe duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e futbollit në vend. Me investime të vazhdueshme në infrastrukturë, rritjen e numrit të futbollistëve dhe përmirësimin e organizimit të garave, FSHF është sot një institucion modern me një vizion të qartë për të ardhmen.

Gjithashtu, Presidenti Duka u ndal te Kombëtarja, e cila është në prag të rrugëtimit të ri në kualifikueset e Kupës së Botës. Ai vuri në dukje se përfaqësimi dinjitoz i Kombëtares ka forcuar lidhjen mes shqiptarëve kudo në botë, duke e bërë futbollin një simbol bashkimi për kombin.

E kishit menduar ndonjëherë që do të drejtonit futbollin shqiptar? – Jo, dhe as nuk ka qenë në objektivat e mia, sepse drejtimi im ka qenë menaxherial. Unë kam përfunduar universitetin për Ekonomi – Industri dhe me ndryshimin e sistemeve i jam futur biznesit. Futbolli më ka pëlqyer gjithmonë, sepse vij nga një familje sportive. Babai im ka qenë futbollist dhe trajner futbolli. Vëllai im ka qenë volejbollist, sporti është në ADN-në e familjes. Por për ta drejtuar nuk e kisha menduar realisht. Bashkë me vëllain tim kemi sponsorizuar dhe drejtuar ekipin e volejbollit të Shijakut. Vëllai im ka qenë volejbollist, ka luajtur për më shumë se 20 vjet. E kemi sponsorizuar për rreth tre vite dhe në atë kohë kemi fituar të gjithë trofetë e mundshëm. Sporti ka pasur nevojë për sponsorizime dhe ndihma financiare dhe kjo më ka bërë që të njihem më shumë me ambientin e futbollit të asaj kohe. Më pas kam sponsorizuar ekipet e futbollit të Erzenit dhe Teutës, dhe më vonë jam propozuar nga anëtarët e FSHF-së dhe nga klubet për të qenë President.

Nuk ka formula për asgjë. Por, në federata të pakonsoliduara siç ka qenë FSHF-ja, është më mirë që të ketë një menaxher të mirë për ta konsoliduar atë. Nëse një institucion konsolidohet, Presidenti i saj mund të jetë kushdo.

Që nga viti 2002 në krye të Federatës – Në futboll të duhet kohë që të fitosh eksperiencën e duhur dhe të kuptosh vërtet mirë atë që duhet të bësh. Nuk ka formula nëse duhet të jetë jetëgjatë apo shumë jetëgjatë një njeri në drejtimin e një shoqate, siç është rasti ynë. Shpeshherë bëjmë paralelizma me politikën, me qeveritë etj., por nuk është e njëjta gjë. Kjo është një shoqatë e cila duhet drejtuar, menaxhuar dhe orientuar çdo ditë, dhe nëse menaxhohet e drejtohet në mënyrën dhe rrugën e duhur, duke shfrytëzuar eksperiencën, besoj që i shërben pozitivisht kësaj gjëje.

Padyshim, është e drejta e çdokujt që ta shohë negativisht, sepse mund të mendojë që qarkullimi sjell ide të reja etj. Është shumë e rëndësishme që të mos matet me jetëgjatësinë, por me rezultatet. Nëse ke rezultate në të gjitha komponentët që përbëjnë shoqatën që ti drejton, në rastin konkret Federatën e Futbollit, atëherë mund të rezultojë pozitive dhe sipas meje, në rastin konkret është pozitive. Shqipëria ka progres në futbollin kombëtar dhe ndërkombëtar, në infrastrukturë, përfaqësim etj. Ka pafund gjëra për të kritikuar gjatë këtij rrugëtimi, sidomos sepse futbolli është shumë i kritikueshëm dhe emocional.

Marrëdhënia me politikën? – Nuk duhet keqkuptuar dhe nuk duhet keqinterpretuar apo keqpërdorur fakti i marrëdhënies jo vetëm të futbollit, por edhe të sportit me politikën apo biznesin privat. Unë besoj që kemi nevojë për njëri-tjetrin. Edhe në kushtet e biznesit privat kemi shumë nevojë për politikën dhe politika për ne. Edhe në futboll gjithashtu. E rëndësishme është që të jemi korrektë në këtë lloj marrëdhënieje, për të ndihmuar zhvillimin e asaj fushe që kemi, në rastin konkret të futbollit. Nëse futbolli bën rezultate pozitive, nëse futbolli zhvillohet, padyshim që është një nga fushat që duhet të mbulojë politika dhe është sukses edhe për politikën. Politika ka shumë gjëra për të ndihmuar dhe ndikon në zhvillimin e futbollit dhe të biznesit. Nëse politika nuk bën ligjet e duhura, është e vështirë që të ecësh përpara. Nëse jemi korrektë në këtë lloj raporti është mirë, pa cenuar autonominë e menaxhimit të njëri-tjetrit.

Ndjenja e solidaritetit në futboll është shumë e madhe mes federatave, mes të gjithë atyre që merren me futboll, mes klubeve, mes futbollistëve. Ne pavarësisht se mund të kritikojmë dhe shajmë njëri-tjetrin, në fund e mbrojmë shumë njëri-tjetrin.

Institucioni i FSHF-së? – Institucioni i Federatës së Futbollit, unë besoj se është një nga institucionet më transparente dhe më demokratike në Shqipëri. Është më transparent sepse të gjitha vendimet e Federatës janë të publikuara në kohë reale. Të gjitha financat e Federatës janë të publikuara në kohë reale, janë transparente dhe miratohen nga anëtarët. Kjo nuk mungon dhe është një nga institucionet më transparente në Shqipëri.

Rolet drejtuese që ju keni në UEFA dhe pozicioni si Zv.President? – Marrëdhëniet dhe rolet nuk vijnë si rezultat i miqësisë, por vetëm si rezultat i punës. Gjëja e parë për t’u ulur në karrigen europiane është ajo çfarë ke bërë në vendin tënd. Nëse ti nuk ke rezultate, nuk ke diçka konkrete, nuk është se zë vend shumë mirë në tavolinën europiane. Zhvillimet janë shumë të mëdha.

Federata e Futbollit në kohën kur unë kam filluar ta drejtoj, ka qenë një institucion me 12 njerëz dhe sot është një institucion me rreth 180 njerëz që e menaxhojnë atë. Ka qenë një institucion me një buxhet rreth 200 mijë euro dhe sot është një institucion me një buxhet rreth 30 milionë euro. Ka qenë një institucion që kishte shumë pak gara, shumë pak futbollistë dhe sot ne numërojmë 23 mijë futbollistë në Shqipëri. Në një kohë të vështirë, sepse gjatë gjithë periudhës kemi fenomenin e largimit të popullsisë nga Shqipëria, ndërsa numri i futbollistëve është rritur. Kjo është rritur padyshim falë politikave të Federatës së Futbollit.

Ne jemi e vetmja federatë në botë që financojmë çdo lloj uniforme për çdo person që dëshiron të luajë futboll. Jemi e vetmja federatë në botë që përballojmë çdo lloj shpenzimi që ka për futboll, arbitra, delegatë, zyrtarë, e deri te qiraja e fushave. Investimet e shumta në infrastrukturë kanë krijuar përshtypjen se çdo fushë dhe stadium duhet ta bëjë Federata e Futbollit. Ne kemi bashkëpunuar me qeverinë dhe kemi ndërtuar stadiume me fonde të përbashkëta, si stadiumin e Shkodrës. Duhet të dimë se 10–12 vite më parë rrezikonim të mos luanim në Shqipëri, sepse stadiumi i vjetër “Qemal Stafa” ishte i papërshtatshëm dhe i papranueshëm për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Në atë kohë u ndërtua “Elbasan Arena”, ku luajtëm dhe na solli fat, duke na çuar për herë të parë në histori në Kampionatin Europian. Po në të njëjtën kohë u ndërtua edhe stadiumi i Shkodrës, i cili gjithashtu i plotëson parametrat dhe kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Më vonë, investimi më i rëndësishëm jo vetëm sportiv, por edhe më gjerë, ishte stadiumi Kombëtar në Tiranë.

Është ndërtuar stadiumi i Kukësit dhe vetëm vitin e kaluar kemi ndërtuar 10 fusha stërvitjeje. Kemi rritur numrin e fëmijëve, kemi nisur futbollin e vajzave, i cili më parë nuk ekzistonte, dhe organizojmë kampionate shkollore në të gjithë Shqipërinë. Kemi një projekt që quhet “Groë” për të edukuar fëmijët e vegjël nëpërmjet futbollit. Kemi shumë projekte për fëmijët në shkolla, aktivitete, si dhe programe zhvillimi dhe infrastrukturore të dedikuara për ta.

Zhvillimi i futbollit shqiptar në vitet e fundit – Nuk jam nga ata që besoj se plani 2-vjeçar sjell begati. Koha ka ndryshuar, ka evolim të ekonomisë dhe shoqërisë. Ka menaxhim më të mirë të institucionit dhe talente më të mira. Në futboll nuk është e rëndësishme të kesh futbollistë të mirë, është e rëndësishme të kesh skuadër të mirë. Dhe për të pasur skuadër të mirë duhet të harmonizosh të gjithë elementët që bëjnë skuadrën. Skuadrën nuk e bëjnë ata të 11-të që hidhen në fushë, por e bëjnë të gjithë bashkë. Qoftë edhe klima politike, në një moment të një klime të vështirë politike, kjo reflektohet gjithkund. Nëse ndikimi i drejtimit të një institucioni është në 10% të suksesit të saj dhe unë kam bërë 80% të saj, jam i lumtur.

Si ka ndikuar përfaqësimi i lojtarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, fakti që ata janë bashkuar me Kombëtaren në Euro 2016? – Kanë qenë gjithmonë vlerë e shtuar për ne, të gjithë futbollistët e diasporës. Kanë dhënë një kontribut të madh për Kombëtaren. Ne kemi hapur dyert e Kombëtares më herët se 2015, por pas 2015 në një numër më të madh. Ka pasur futbollistë me kualitet. Ka ndikuar pozitivisht dhe vijon të ndikojë pozitivisht. Ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë këtë politikë dhe të mbyllim derën për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Kombëtaren shqiptare. Ka shpesh diskutime, kritika, por ne do ta vazhdojmë këtë lloj politike, me derë të hapur për këdo që dëshiron të luajë dhe pa dyshim që e meriton të luajë.

Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA – Pranimi i Kosovës në UEFA ka qenë një betejë e vështirë. Ne kemi lobuar si Federatë futbolli, kemi lobuar dhe mbështetur në të gjitha mënyrat, Federatën e Futbollit të Kosovës, edhe përmes anës financiare që të pranohet. Lufta ka qenë e fortë dhe e ashpër sepse Kosova ka pasur shumë kundërshtarë dhe në fund ka fituar me një votë diferencë. Dhe ajo ka ndryshuar realitetin futbollistik në Kosovë sepse pa qenë anëtar i UEFA-s apo FIFA-s është vështirë të zhvillohet futbolli. Kemi bashkëpunuar me Federatën e Kosovës, me ish-presidentin e asaj kohe, legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.

Kalimi i lojtarëve nga Kosova te Shqipëria (rasti i Brrutit) – Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh. A e kam marrë unë Brrutin? Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e Kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne.

Marrëdhënia me FFK? – Kam marrëdhënie të mira me të gjitha federatat e Europës, kurse me Federatën e Kosovës kam marrëdhënie vëllazërore.

Etnik Brruti – Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse kushdo vendos vetë për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë.

Reagimi i trajnerit të U-21 të Kosovës – Nuk besoj se ka futbollistë që e kanë ëndërr të shkojnë në Rusi, po pa dyshim që nuk mund ta refuzojë një klub rus. Futbollistët kanë ëndërr të shkojnë në perëndim, në Angli, Gjermani, Itali, Spanjë, Spanjë. Por nëse karriera i çon në Rusi, mund të luajnë dhe aty. Nuk është ai qëllimi, qëllimi i djalit është që i ka pëlqyer të luajë me Shqipërinë. Ka dhe një shans të madh, ne do jemi pjesë e Kampionatit Europian U-21 2027. Nëse vazhdon karrierën mirë, do të luajë në finalet e këtij kampionati, në karrierë nuk të jepet shumë mundësia kur luan me ekipe relativisht të mesme apo të vogla. Çfarë i ofron Brruti Silvinjos? Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht.

Sa besoni te trajnerët ndërkombëtarë në krye të Kombëtares? – Përderisa vazhdojmë me trajner të huaj, do të thotë që besojmë. De Biasi është një nga pikat historike të futbollit shqiptar. Për herë të parë jemi kualifikuar në një Europian dhe as optimisti më i madh nuk e besonte që do kualifikoheshim. De Biasi ka një kontribut të madh në këtë kualifikim. Jo vetëm. Ka kontribut De Biasi dhe ndonjë tjetër, por kryesisht De Biasi në kulturën e punës dhe skuadrën Kombëtare të futbollit. Çdokush vë një gur, ndërsa De Biasi ka vë më shumë se një gur në zhvillimin e ekipit kombëtar të futbollit. Edhe Silvinjo ka meritë sepse dy herë në të gjithë historinë tonë jemi kualifikuar në Europian. Dhe deri tani, emrat e De Biasit dhe Silvinjos do shkruhen në historinë e futbollit tonë si më të suksesshmit.

Ndeshja me Serbinë në Tiranë, sa po punon FSHF? – Ekziston emocioni, pesha e historisë mes dy kombëtareve. Unë i ftoj të gjithë, besoj se do ta bëjnë të gjithë. Ta shohim ndeshjen me Serbinë si një ndeshje futbolli dhe asgjë më shumë. Objektivi ynë kryesor është që të fitojmë sportivisht. Nëse fitojmë sportivisht, i kemi fituar të gjitha.

Organizimi i Euro U-21 2027 së bashku me Serbinë, reagimet – Në muajin maj 2025 do të presim finalet e Europianit U-17. Është i pari Europian që ne presim, nuk kemi organizuar më parë një turne final. Më 31 mars hidhet shorti dhe nis më 19 maj.

Jam i bindur që do të jetë një organizim i suksesshëm. Në 2027 do të presim finalet e Europianit U-21. Ka qenë çështje diskutimi, jemi të vëmendshëm në kritikat dhe vërejtjet, sharjet e tifozëve se pse ne kemi bashkëpunuar me Federatën serbe për kampionatin. Ne jemi një organizatë sportive dhe ky është një event sportiv. Qëllimi kryesor është sportiv.

Pa dyshim edhe pragmatist sepse ky ishte një shans për t’u shfrytëzuar për të pasur një kampionat europian sepse unë dyshoj në historinë e Shqipërisë që do të përsëritet dhe uroj që të përsëritet sërish. Edhe nga ana politike, pa dyshim që jo vetëm e kam përjetuar atë që ka përjetuar çdo kosovar (jo në të njëjtën mënyrë sepse nuk kam qenë fizikisht në Kosovë), por të gjithë ne e kemi mbështetur dhe jemi munduar të lehtësojmë dhimbjen e shqiptarëve të Kosovës. E di historinë, por mesazhi është që ne duhet të shohim përpara. Ne nuk do ta ndryshojmë Serbinë, nuk do ta lëvizim Serbinë nga vendi. Ajo do të rrijë aty, Kosova do të rrijë aty. Pavarësisht dhimbjes, duhet të gjejmë mënyrën dhe  duhet të gjejmë ura komunikimi. Nëse kjo do të ndikojë apo jo pak pozitivisht, unë besoj se po. Dhe nëse kjo i shërben përmirësimit të jetës së fëmijëve në Kosovë, unë do të jem i kënaqur. Do lëndojë disa sepse plagët janë të freskëta, por ne duhet të shohim përpara.

A do merrni masa që bashkëpunimi të jetë i suksesshëm? – Nuk kam dyshim që do të jetë një organizim i suksesshëm dhe një event perfekt. Ne kemi dhënë prova që dimë ta bëjmë këtë gjë, kemi bërë shumë gjëra mirë. Ne organizojmë në Shqipëri çdo vit një numër të konsiderueshëm turnesh kualifikues. Kemi organizuar finalen e parë të Conference League. Përderisa kemi këtë eksperiencë, përderisa kemi bërë mirë të gjitha këto, do t’i bëjmë mirë edhe finalet e Europianit 2027.

Ju e përmendni si të sigurt kualifikimin në Botëror? Si e shihni? -Gjithmonë është e vështirë, ai që mendon se ka fituar para se të fillojë loja, e ka të vështirë që ta arrijë.

Por nuk kemi pse mos ta synojmë, ne i kemi kualitetet për t’u përballur në fushë. Jemi të përgjegjshëm për kundërshtarët që kemi. Kundërshtarët janë të gjithë të fortë, të 4, pavarësisht se thuhet “Anglia, Anglia”, por nuk mund të fitosh as kundër Andorrës nëse nuk ke përqendrimin maksimal, formën e duhur dhe angazhimin maksimal. Ne do të përpiqemi. Anglia është skuadër shumë e fortë, me objektiva për të qenë kampione bote, unë uroj mos ta lejojmë as të shkojë në Botëror. Serbia është skuadër e fortë gjithashtu, por edhe Letonia dhe Andorra nuk janë të lehta.

Rilindja e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve që lidhet me sukseset e futbollit. Ky Europian i tregoi një fytyrë tjetër botës – Ishte dëshira e brendshme e shqiptarëve për të treguar me krenari kulturën dhe simbolet e veta, për t’u bashkuar rreth një eventi që do t’u jepej mundësia. Event më madhor se Kampionati Europian i futbollit është e vështirë të kesh. E demonstruan gjithçka në Paris dhe e demonstruan mirë. Nëse kujtojmë shtypin e shkruar francez në atë kohë, ku thuhej: “Shqiptarë, jeni të mirëpritur të vini përsëri në Francë”. Besoj se ky ishte një mision i plotësuar për skuadrën e futbollit, pavarësisht se rezultatet nuk ishin maksimale. Filloi në Francë dhe u përsos në Gjermani. Unë nuk kam parë ndonjëherë më shumë njerëz të gëzuar, të bashkuar, duke festuar, pavarësisht se loja nuk kishte filluar dhe mbase nuk kishin shumë emocion për rezultatin, por ishin të kënaqur që ishin pjesë e atij eventi dhe shfrytëzuan momentin për të shpalosur ndjenjën dhe simbolet kombëtare.

Si ka ndikuar rritja e Kombëtares te shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë? – Me keqardhje konstatoj që shqiptarët e Shqipërisë që emigrojnë jashtë, fëmijët e tyre nuk flasin të gjithë shqip, ndërsa shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe trojeve të tjera, nuk e kanë harruar asnjëherë gjuhën. Fëmijët e mikut tim nuk flisnin gjuhën dhe nuk kishin dëshirë të vizitonin

Shqipërinë dhe pas Europianit, jo vetëm që kanë filluar të flasin shqip, por rrinë me bluzën e Kombëtares së Shqipërisë dhe nga ajo kohë kanë ardhur pesë herë në Shqipëri, janë lidhur akoma më shumë me vendin. Kjo tregon se sa shumë i shërben kombit futbolli.

A keni një strategji për ta zhvilluar ndjenjën kombëtare? – Padyshim që promovimi është një pjesë e organizimit të rezultatit. Strategjia është të zhvillohesh dhe të kesh rezultate. Njerëzit shohin më shumë rezultatet e ekipeve kombëtare, sidomos Kombëtares A. Unë uroj që të bëjmë rezultate të mira. Njerëzit janë lidhur goxha me ekipin kombëtar, padyshim nga ndikimi i dy kampionateve europiane, por edhe i ndeshjeve të tjera që zhvillon Shqipëria dhe jam i sigurtë që do të vazhdojë kështu. Botërori është i vështirë, pasi shkojnë 16 skuadra, të paktën për këtë kampionat.

A shitet bluza e Kombëtares jashtë Shqipërisë? – Shitet më shumë jashtë Shqipërisë sesa brenda. Ne nuk i shesim vetë bluzat jashtë Shqipërisë, i shesim nëpërmjet sponsorit tonë Macron. Për Euro 2016 janë shitur 100 mijë bluza. Tani për kualifikueset e Botërorit kemi përgatitur fanellën e re me motive popullore shqiptare, në të treja ngjyrat.

Klubet? – Futbolli i klubeve është në një lloj mënyre ekonomi, klubet nuk kanë mbështetjen e duhur financiare për të bërë hapin e duhur përpara dhe për të pasur rezultate akoma dhe më shumë ndërkombëtare. Nëse shohim, çdo futbollist i rritur në klubet shqiptare, sapo arrin një lloj niveli, për arsye ekonomike shkon në kampionate të tjera, sepse paguhet më mirë. Vetëm Partizani, në dritaren mes dy fazave, ka shitur 4-5 lojtarë, që padyshim e cenojnë cilësinë e tij. Për të bërë një hap përpara, duhet të ketë një mbështetje financiare, qoftë nga buxheti apo ligji i sponsorizimit që ne e kemi diskutuar gjithmonë, i cili nuk është bërë. Është në Kosovë, Maqedoni dhe shumë vende të Europës. Klubet në një lloj mënyre vuajnë financiarisht për të bërë hapa përpara. Kanë të ardhura të kufizuara, kur ke të ardhura të kufizuara, ke shpenzime të kufizuara dhe ke më pak mundësi për të mbajtur futbollistë kualitativë. Ligji i sponsorizimit do të ishte ndihmë shumë e madhe.

Nuk është thjesht sponsorizim, donacion për futbollin, por investim për ekonominë. Futbolli t’i kthen shpejt lekët. Vetëm nga kualifikimi në Europian, tatimi mbi të ardhurat për bonusin e Kombëtares ka qenë rreth 2 milionë euro. Nëse futbolli do të zhvillohet më shumë, do të shesë më shumë futbollistë, i kthen shumë shpejt ato para, por ka më shumë nevojë për mbështetje.

Konflikti me KOKSH, ku qëndron problemi? – Ka filluar që në vitin 2020-2021, kur Komiteti Olimpik Shqiptar bëri një asamble statutore për ndryshimin e statutit dhe e përjashtoi Federatën e Futbollit nga pjesëmarrja në Asamble pa asnjë lloj të drejte. Ne kemi kërkuar që Federata e Futbollit të jetë e pranishme dhe me të drejta të plota.

Tani KOKSH thotë që ju mund të vini, por pasi ka bërë një lloj llumi me ndryshimet statutore apo me të gjithë ato vendimet e mëpasme, kështu që për këtë ne nuk kemi bërë luftë me pushkë, por kemi kërkuar në mënyrë juridike dhe kemi fituar në KAS, Lozanë, që KOKSH duhet të anulojë ato vendime dhe të riorganizohet nga e para. Shqipëria nuk e njeh këtë vendim të KAS, por me një vendim të Gjykatës së Apelit thotë që nuk e njeh atë vendim të KAS. Ne i respektojmë këto vendime, pavarësisht se janë absurde.

Stadiumin e Krujës, pse e keni lënë në harresë? – I kemi dërguar bashkisë së Krujës propozimin me shkrim për të rikonstruktuar stadiumin dhe fushën e stërvitjes dhe ende nuk kemi përgjigje. Kemi fonde gati për ta mbështetur.

Kampionati nga 16 ekipe në 10, a quhet sukses? – Është skema optimale për zhvillimin e një aktiviteti në një vend si Shqipëria për shumë arsye. Një nga arsyet është ekonomike, sepse kaq mundësi ekonomike ka Shqipëria, dhe arsyeja e dytë është se ka më shumë garë. E kam gjetur me 16 skuadra gjithsej, sot janë 10 në Abissnet Superiore, 12 në Kategorinë e Parë, 22 në Kategorinë e Dytë dhe 26 në Kategorinë e Tretë. Pra, ka shumë më shumë se sa ishin, por të ndara në nivele.

Niveli i kampionatit? – Kampionati shqiptar nuk është më i mirë se ai anglez, nuk është i barabartë me atë gjerman, por është nga më të mirët nga niveli i organizimit, infrastrukturës, garës, se sa i gjithë rajoni.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat