Duka: E kemi përkrahur edhe financiarisht anëtarësimin e Kosovës në UEFA

Futboll

Duka: E kemi përkrahur edhe financiarisht anëtarësimin e Kosovës në UEFA

Më: 12 mars 2025 Në ora: 11:16
Fadil Vokrri e Armand Duka, foto para disa viteve

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka zbuluar një detaj interesant në intervistën e tij të fundit.

Kreu i futbollit shqiptar derisa ishte i ftuar në “Nazarko Podcast”, theksoi se FSHF-ja ka lobuar dhe se e ka mbështetur edhe financiarisht anëtarësimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA.

Në Kosovë disa dyshojnë se Shqipëria ka votuar kundër pranimit të FFK-së në UEFA, por Duka zotohet se institucioni që ai e drejton e ka ndihmuar dhe mbështetur në të gjitha mënyrat Kosovën për t’u bërë anëtare e Federatës Evropiane të Futbollit.

“Pranimi i Kosovës në UEFA ka qenë një betejë e vështirë. Ne kemi lobuar si Federatë futbolli, kemi lobuar dhe mbështetur në të gjitha mënyrat, Federatën e Futbollit të Kosovës, edhe përmes anës financiare, që të pranohet.

Lufta ka qenë e fortë dhe e ashpër sepse Kosova ka pasur shumë kundërshtarë dhe në fund ka fituar me një votë diferencë.

Dhe ajo e ka ndryshuar realitetin futbollistik në Kosovë sepse pa qenë anëtar i UEFA-s apo FIFA-s është e vështirë të zhvillohet futbolli.

Kemi bashkëpunuar me Federatën e Kosovës, me ish-presidentin e asaj kohe, legjendën e futbollit shqiptar, Fadil Vokrri”, u shpreh Duka.

Kosova ishte pranuar në vitin 2016 në dy organizatat më të mëdha të futbollit botëror, në UEFA e në FIFA..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat