Nagelsman premton Gjermani të frikshme në Botëror

Futboll

Nagelsman premton Gjermani të frikshme në Botëror

Më: 12 mars 2025 Në ora: 16:19
Nagelsman

Në një intervistë të gjerë, trajneri i përfaqësueses gjermane, Julian Nagelsman, reflekton mbi ndeshjen e ardhshme të Ligës së Kombeve të UEFA-s me Italinë dhe përgatitjen për Kupën e Botës, ku ai mendon se grupi mund të arrijë kulmin e vet.

Të enjten, Nagelsman do të emërojë skuadrën e tij për çerekfinalen e ardhshme të Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Italisë dhe, duke folur për “FAZ”, ish-trajneri i Bajern Mynihut zbulon se ai nuk po planifikon të bëjë shumë ndryshime në kontigjentin e tij.

GRUPI DHE PRETENDIMET – “Ky është kampi më i shkurtër që kemi, kështu që nuk mund të ndryshojmë shumë. Mund ta stërvitim planin kundër italianëve në dy seanca 20-minutëshe”, tha ai. Nagelsman nuk pret shumë ndryshime as për Kupën e Botës, me 37- vjeçarin që planifikon të qëndrojë me shumicën e lojtarëve që u paraqitën në Kampionatin Europian të vitit të kaluar.

“Sigurisht që ne kemi një masterplan se si duam të organizojmë kualifikueset e Botërorit dhe më pas vetë Kupën e Botës. Unë do t’i përmbahem faktit se ne kemi një bërthamë prej 13 ose 14 lojtarësh, të cilëve u besojmë. Nuk mund të ketë asnjë pozicion të hapur siç ka në klub. Rolet duhet të jenë të qarta si brenda, dhe jashtë fushës, edhe nëse janë ndoshta pak më të hapur për momentin”, shtoi Julian, i cili beson se skuadra e tij mund të shkojë larg në turne. “Besoj se mund të arrijmë kulmin tonë në Kupën e Botës. Kurba e të mësuarit që shoh, me ne është shumë më e pjerrët se sa jam mësuar në klube”.

ROLI I KIMISH – Një mesfushor qendror natyral, Joshua Kimish ka luajtur kryesisht si mbrojtës i djathtë për Gjermaninë që kur Julian Nagelsman mori drejtimin. A do të vazhdojë kështu? Por kur 29-vjeçari luan për Gjermaninë, zakonisht është në krahun e djathtë ose të paktën kështu ka ndodhur që kur Nagelsman mori postin e trajnerit. Trajneri Julian konfirmoi se Kimish do të qëndrojë në krahun e djathtë deri në njoftimin e mëtejshëm.

“Duhet t’i peshoj gjërat, cila është nevoja më e vogël dhe cila është nevoja më e madhe. Për momentin, nuk mund të shoh një mbrojtës të djathtë më të qëndrueshëm se Joshua, veçanërisht pas dëmtimit të Henriks”, tha ai.

“Në pozitën numrit ‘6’, kam Paskal Gros, Angelo Shtiler, Aleksandar Pavloviç, kur ai është në formë, Andrish, Feliks Nmeça dhe kandidatë të tjerë. Kjo është nevoja më e vogël, sigurisht edhe arsyeja pse unë po i qëndroj tani për tani. Mbi të gjitha, Josh është një shembull i mirë i rolit që luan emocionaliteti krahas cilësisë”, vazhdoi ai, duke lavdëruar mentalitetin e Kimish.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat