Raste të shpërdoruara

Futboll

Raste të shpërdoruara

Më: 12 mars 2025 Në ora: 16:30
Skënderbeu

Humbja me Partizanin për mënyrën se si erdhi me përmbysje pas avantazhit të pjesës së parë la shije të hidhur në kampin korçar.

Ajo që e shtoi akoma edhe më shumë mërzinë dhe zhgënjimin te Skënderbeu ishin rastet e shumta të shpërdoruara nga bardhekuqtë në një ndeshje, që sipas stafit teknik duhet të fitohej me çdo kusht.

Pikërisht për këtë arsye trajneri dhe ndihmësit e tij kanë qenë tejet të zhgënjyer nga menaxhimi që korçarët i kanë bërë këtij takimi, duke humbur raste të shumta shënimi, të cilat mund të mbyllnin llogaritë e ndeshjes.

Ndaj, edhe për këtë, ditën e djeshme menjëherë pas ndeshjes me Partizanin trajneri Ernest Gjoka e ka parë të udhës që të punojë më shumë me anën ofensive të ekipit.

Edhe pse e tha gjatë konferencës, kryepankina korçare e ka përsëritur edhe te mbledhja e djeshme me skuadrën duke iu thënë lojtarëve shprehimisht se një mbrojtje më të çorganizuar nuk mund ta hasin në asnjë ndeshje tjetër dhe pesha e fajit bie e gjitha mbi shpërdorimin e rasteve në momente të rëndësishme dhe decizive të takimit. Pas mbledhjes në dhomat e zhveshjes, trajneri ka mbajtur të ngujuar ekipin në ushtrime dhe taktika të ndryshme të vendosjes në fazën ofensive.

Pika kyçe e seancës së djeshme ka qenë ndërtimi i aksioneve dhe mbi të gjitha finalizimi i tyre, duke vënë në provë të gjithë forcën ofensive që ka në dispozicion për momentin pas dëmtimit të Bismark. Dukshëm që pakënaqësia e trajnerit ka të bëjë me shpërdorimin e rasteve dhe pikërisht kjo ka shqetësuar më shumë kampin korçar, duke u munduar që të rregullojnë balancat dhe për të rritur përqendrimin në finalizim për pjesën e mbetur të kampionatit.

DËMTIMET Për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë në transfertë korçarët kanë disa dilema, që vijnë menjëherë pas ndeshjes së humbur në shtëpi me Partizanin. Për momentin, ajo që mban më tepër në ajër stafin bardhekuq është gjendja e Bismark, i cili u detyrua që të dalë nga fusha e lojës pas një problemi fizik në pjesën e parë.

Pritet që sot Bismark të kryejë një kontroll më të detajuar për të parë se në çfarë mase është dëmtimi që e ka kushtëzuar të lerë ndeshjen në mes. Më pas do të shihet nëse lojtari do të jetë i gatshëm për Vllazninë apo jo. Në të njëjtat kushte është edhe gjendja e Shaqes, i cili sapo u rikthye nga një shqetësim muskulor dhe ndaj Partizanit tregoi shenja ripërsëritjeje të tërheqjes në kofshë.

Të dyja rastet do të vlerësohen nga stafi mjekësor i Skënderbeut në ditët në vijim për të vendosur më pas se cila do të jetë gjendja e dy lojtarëve në fjalë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat