Benfica mund të përballet me sanksione të rënda nga UEFA pasi tifozët e tyre shkelën përsëri rregulloret për fishekzjarrët gjatë ndeshjes kundër Barcelonës të martën në mbrëmje.
Edhe pse ndeshja nuk u ndalua në “Montjuic”, pati incidente më serioze, përfshirë përleshje me stafin e sigurisë.
Gjatë ndeshjes së parë në “Estadio da Luz”, arbitri Felix Zwayer e ndali përkohësisht lojën pasi fusha u mbulua nga tymi i shkaktuar nga fishekzjarrët e ndezur nga ultrasit e Benficës. UEFA pritet të gjobisë tashmë Benficën për ato incidente.
Megjithatë, kjo nuk i ndaloi tifozët udhëtues të ndezin rreth 20 fishekzjarrë, sipas “TV3”.
Në imazhet e marra nga zona e tifozëve mysafirë, shihet sesi stafi i sigurisë lëviz drejt tifozëve të Benficës për të qetësuar situatën dhe për të hequr fishekzjarrët.
Megjithatë, tifozët e Benficës u përleshën me stafin e sigurisë, ku një prej tyre u sulmua, ndërsa grupi portugez theu barrikadën e sigurisë që i mbante të izoluar.
UEFA do të presë raportin e delegatit të ndeshjes, Metin Kazancioglu, përpara se të vendosë për hapat e mëtejshëm, por ka shumë mundësi që Benfica të marrë një gjobë më të rëndë dhe madje të përballet me një mbyllje të pjesshme të stadiumit.