Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, vazhdon me rekordet e tij personale në Ligën e Kampioneve.
Suksesi i radhës kundër Benfikës ishte i 24-ti për të në 28 takime të luajtura në kompeticionin elitë në futbollin europian. Ai ka folur pas takimit të fituar ndaj Benfikës 3-1, duke analizuar paraqitjen e bërë nga skuadra e tij.
“Jam i kënaqur, nuk ka se si të jetë ndryshe. Mendoj se e kemi respektuar Nefikën, sepse ata kanë luajtur shumë mirë. Nuk ka qenë një fitore e thjeshtë, por kemi bërë mjaft mirë pjesën që na takon dhe jemi të kënaqur që kemi arritur në çerekfinale”, deklaroi trajneri i Barçës.
Flik është ngacmuar edhe në lidhje me rivalin e ardhshëm që do të dalë nga çifti mes Lilës dhe Dortmundit, me gjermanin që nuk ka ndonjë preferencë të veçantë.
“Tani jemi disi më të qetë, presim se me kë do të përballemi. Nuk kam ndonjë preferencë të veçantë. Ne shohim përpara”, tha ai.
Flik ka folur edhe për golin e Lamin Jamalit. “Jam shumë i kënaqur për të, sepse kishte kohë që i mungonte goli. Ishte shumë e rëndësishme që shënoi, për më shumë që ishte një gol i mrekullueshëm”, tha ai.