Me çdo moment historik të sezonit të Liverpulit, duket se vjen gjithnjë një titull që trazon ambientin në klubin e kuq.
Eliminimi nga Liga e Kampioneve nga PSG-ja, shkaktoi një raund të ri pyetjesh për kontratat në skadencë dhe përgjigja e Virxhil van Dajkut se ai nuk e kishte idenë nëse do të ishte ende në klub sezonin e ardhshëm, qe përgjigjja e fundit që tërhoqi vëmendjen e tifozëve të kuq.
Gjasat janë që ai të qëndrojë, por derisa kontrata të firmoset, ka një ndjenjë pasigurie se si kampionët e ardhshëm të Anglisë pritet të zbresin në fushë sezonin e ardhshëm. E njëjta situatë vlen edhe për Mohamed Salahun dhe Tren-Aleksander Arnoldin, dy yjet e tjerë të Arne Slotit në skadencë kontrate.
Gjasat janë që përveç kapitenit Van Dajk edhe sulmuesi të hedhë firmën në kontratën e re, ndërsa për mbrojtësin Arnold pasiguritë janë më të mëdha, me lojtarin që joshet nga Reali i Madridit. Por ndërsa ora ka nisur numërimin mbrapsht, nuk është shumë e pamundur dhe mundësia që trioja të largohet nga “Anfield” në fund të sezonit.
Ndoshta ata janë duke kërkuar një rrogë shumë të lartë, apo kontrata afatgjate që nuk i pëlqen drejtuesve të Liverpulit. “Mirror” ka bërë një analizë se si do të duket skuadra e Arne Slotit sezonin e ardhshëm pa tri shtyllat e skuadrës. Konor Bredli mund të jetë pasardhësi i Arnoldit në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Konate do të marrë detyrën e liderit të prapavijës.
Din Hujisen, mbrojtësi i Bornmëthit, është në radarët e Liverpulit dhe ai mund të jetë një alternativë. Por si do të zëvendësohej Salah? Në të vërtetë është e pamundur që të zëvendësohet një lojtar më cilësitë e egjiptianit dhe me Kiezën që pritet të largohet. Slot mund të mendojë të spostojë Luis Diazin, ndërsa Ben Dok do të jetë një alternativë në stol, pas huazimit të sukseshëm të tij te Midëllsbrou.