Progresi i madh që ka bërë Ethan Nwaneri që nga debutimi i tij me Arsenalin nuk ka kaluar pa u vënë re edhe përtej Premier League.
Real Madrid është një nga klubet që tashmë po ndjek me vëmendje hapat e tij.
Prej vitesh, Real Madridi është angazhuar seriozisht në gjetjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj. Emra si Take Kubo, Martin Odegaard, Vinicius Junior, Rodrygo, Reinier, Eduardo Camavinga, Arda Guler dhe Endrick janë pjesë e kësaj politike, me nivele të ndryshme suksesi në ‘Santiago Bernabeu’.
Në këtë listë të pasur mund të shtohet së shpejti edhe një tjetër talent premtues, Ethan Nwaneri. 17-vjeçari anglez ka bërë një hap të madh në karrierën e tij që nga debutimi shtatorin e kaluar. Deri më tani, ai ka regjistruar 31 paraqitje zyrtare, duke shënuar tetë gola dhe dhënë një asist me ekipin e parë të Arsenalit.
Sipas ‘JustArsenal’, skautët e Real Madridit kanë udhëtuar së fundmi në Angli për të ndjekur nga afër zhvillimin e Nwaneri-t. Ai dallohet për aftësinë e tij teknike, vertikalitetin dhe shkathtësinë, cilësi që i mundësojnë të luajë si në krahun e djathtë, ashtu edhe në pozicione më qendrore.
Mbetet për t’u parë nëse Nwaneri do të jetë talenti i radhës që do të zbarkojë në ‘Santiago Bernabeu.