Lot në sy, vështrime të kthyera në tokë, lojtarë të përqafuar… Nuk kishte asgjë të veçantë dhe të pazakontë në minutën e heshtjes që u mbajt të dielën para ndeshjes së ligës elitare bullgare mes Arda Kardzhali e Levski Sofja.
Në ekranin e madh u shfaqën pamjet e Petko Ganchev, ish-sulmues i Arda në vitet e 70-ta (autor i më shumë se 100 golave), për ta përkujtuar vdekjen e tij.
Por, gjithçka doli blof pasi personi në fjalë është ende gjallë dhe shëndosh e mirë, shkruajnë mediat bullgare.
Pa dyshim, kjo situatë e krijoi një siklet të konsiderueshëm në stadium.
Në fakt, gjatë pauzës mes dy pjesëve, drejtuesit e klubit Arda e mësuan se Ganchev ishte ende gjallë dhe se vazhdon t’i ndjekë krejt ndeshjet e ish-ekipit të tij.
Fati deshi që ai u kthye në shtëpi pak më vonë se zakonisht dhe nuk mundi t’i ndiqte minutat e parë të lojës… e as një minutë heshtje në kujtim të tij.
Ishin disa miq që e dhanë alarmin dhe që e lajmëruan, derisa gruaja e tij e priti atë në shtëpi mes lotësh.
“Kërkova nga gruaja ime që ta merrte telefonin dhe t’ju thoshte të gjithëve që nuk kisha vdekur”, deklaroi Ganchev.
Një situatë që e detyroi drejtuesit e klubit që të kërkojnë falje publikisht përmes rrjeteve sociale.
“Udhëheqësia e klubit dëshiron t’i kërkojë fale ish-futbollistit të klubit dhe të afërmve të tij pasi ndau informata të pavërteta rreth vdekjes së tij. I urojmë edhe shumë vite lumturi dhe shëndet të mirë dhe që të vazhdojë t’i shijojë sukseset e klubit Arda”, njoftoi klubi bullgar.
“Çka bëra pas lajmit për vdekjen time? Ia derdha një gotë vetes dhe ngreha dolli për shëndetin tim”, përundoi Ganchev.