Nga 12 ka zbritur në 10 numri i lojtarëve të Interit të grumbulluar nga kombëtaret gjatë këtij pushimi për eliminatoret dhe “Play Off” në Ligën e Kombeve.
Arsyeja është largimi i Markus Turamit nga grumbullimi i Francës dhe dëmtimi i Denzel Dumfrisit në ndeshjen e fundit ndaj Atalantës.
Holandezi do të kryejë ekzaminime në orët e ardhshme për të kuptuar shkallën e këtij dëmtimi, por sigurisht që Simone Inzagi duhet të bëjë disa sfida për të.
Anësori i djathtë që po kalonte një moment të shkëlqyer dhe po mbante ngarkesë të lartë minutash për shkak të dëmtimit të zëvendësuesve të tij nuk ia doli dot që të mbyllte ndeshjen kundër Atalantës. Inzagi tha se nuk ka asgjë serioze, por në fakt rrezikon që të mungojë 3-4 javë.
Objektivi i tij është rikthimi në Ligën e Kampionëve kundër Bajernit. Kjo është një periudhë e ngjeshur me ndeshje dhe Inzagi shpreson që t’i ketë gati të gjithë. Lajmi i mirë vjen nga grumbullimi i kombëtares franceze. Didie Deshamp ka vendosur që të rikthejë në Milano Markus Turamin. Sulmuesi francez prej kohësh ka një dëmtim në kavilje, që nuk po e lejon të jetë në 100% të formës dhe kështu do të ketë më shumë kohë që të kapë formën optimale.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Nikola Zalevskin, i cili ishte pjesë e listës së Polonisë, por trajneri në fund ka vendosur të mos e marrë, duke qenë se vazhdon të jetë i dëmtuar dhe Interi nuk ka qenë shumë dakord me këtë lëvizje. Edhe Dimarko nuk është me Italinë dhe po vazhdon punën për t’u rikuperuar. Ndërkohë që për Atalantën dhe Napolin do të jenë nga 12 lojtarë të grumbulluar me kombëtaret e tyre.
Sa i përket Alesandro Bastonit, ai do të jetë një mungesë për sfidën e parë pas pauzës së kombëtareve kundër Udinezes pasi u ndëshkua me karton të kuq. Një tjetër faktor, por jo kaq shumë vendimtar është dita kur lojtarët do të rikthehen. Lautaro Martinez është një prej atyre që më së shumti vonohet për shkak të udhëtimit drejt Argjentinës, por “Toro” duket në formë në këto momente dhe e ka kaluar periudhën e vështirë. Tani është një lojtar i pjekur dhe di mirë t’i menaxhojë forcat dhe lodhjen.