Edhe në komunën e Gjilanit, procesi zgjedhor po kalon kryesisht mirë dhe pa probleme të theksuara. Qysh në mëngjes një votues është intervistuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka fotografuar fletëvotimin brenda kabinës së votimit.
Gjatë qëndrimit të ekipit të KosovaPress-it, në qendrën më të madhe në këtë komunë “Abaz Ajeti”, shihej interesim i madh për votim. Në këtë qendër votimi mund të votojnë 13 mijë e 313 votues në gjithsej 15 vendvotime.
Menaxheri i kësaj qendre, Arsim Bejtullahu tha se deri në orën 11:00 votuan mbi 1 mijë qytetarë, ndërsa deri në ora 15:00 pritet që ky numër të arrijë në 3 mijë.
Bejtullahu: Gjithçka në rregull, nis të rritet numri i votuesve
“Gjithçka ka shkuar në rregull duke u pajisur të gjitha vendvotimet me materialin e nevojshëm dhe duke mos pasur mungesa të komisionarëve. Deri në ora 11:00 kanë qenë diku mbi 1 mijë votues….po besohet që ka arritur rreth numrit 3 mijë…..Vizualisht po shihet se ka një interesim më të rritur… Ka që një orë e gjysmë që ka filluar të rritet numri i votuesve në këtë qendër”, theksoi ai.
Lidhur me rastin e fotografimit të fletëvotimit, Bejtullahu tha se me këtë çështje po merret Policia e Kosovës.
Bejtullahu: Policia po merret me çështjen e fotografimit të fletëvotimit
“Nuk jam i njoftuar, për atë çështje me rastin po merret Policia”, tha Bejtullahu.
Qendra më e madhe e votimit në Gjilan “Abaz Ajeti” është ballafaquar edhe me mungesë të stafit te tavolina informuese.
Bejtullahu: Në mëngjes ka pas shqetësime rreth tavolinës ndihmëse
“Nuk ka pasur tjera parregullsi meqenëse edhe ai tentim i fotografimit të votës është trajtuar ashtu si duhet. Kemi pasur në mëngjes shqetësime rreth tavolinës ndihmëse ku kemi pas numër më të vogël të personelit aty, por tani kemi arritur që me një person që e kemi aty të sistemojmë punën pak më ndryshe dhe siç po shihet njerëzit tani më lehtë po u drejtohen vendvotimeve… Ka pasur sepse është zvogëluar dukshëm, kanë qenë 6, tani janë 1, megjithatë kemi arritur të organizojmë punën”, theksoi ai.
Të drejtë vote në komunën e Gjilanit kanë gjithsej 103 mijë e 616 qytetarë të cilët mund të votojnë në 37 qendra të votimit me gjithsej 129 vendvotime.
Numri i qendrave të votimit është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.