Edi Kolgeci: Fituesi kualifikohet në Kampionat Botëror

Hendboll

Edi Kolgeci: Fituesi kualifikohet në Kampionat Botëror

Më: 11 mars 2025 Në ora: 13:39
Muhamet Arifi e Edi Kolgeci

Të martën në mesditë në lokalet e Federatës së Hendbollit të Kosovës është mbajtur konferencë për media, në të cilën presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci dhe sekretari i përgjithshëm, Muhamet Arifi kanë njoftuar gazetarët për dy ngjarjet e rëndësishme të kësaj jave.

Prej të mërkurës deri të dielën në Prishtinë mbahet IHF Trophy Intercontinental për hendbollistët e grupmoshës U18 dhe U20.

Është kjo ngjarje me rëndësi shumë të madhe në të cilën ne prezantohemi me Kombëtaren U18.

Fituesi kualifikohet në Kampionat Botëror dhe ky është synimi ynë”, ka thënë presidenti Kolgeci ndër të tjera.

Gjithsej luhen 22 ndeshje, ndërsa finalet për të dy grupmoshat janë të dielën.

Te 18-vjeçarët të mërkurën janë ndeshjet Uzbekistani – Nikaragua (15:00) dhe Kaledonia e Re – Nigeria (17:00).

Të enjten janë ndeshjet SHBA-ja – Nikaragua dhe Nigeria – Kosova, që fillon në ora 17:00.

Te 20-vjeçarët të mërkurën janë ndeshjet Kaledonia e Re – Bullgaria (11:00) dhe Uzbekistani – Nikaragua (13:00). Marrin pjesë edhe SHBA-ja dhe Ruanda.

Në konferencë u fol edhe për ndeshjet e Kombëtares A të Kosovës me Ukrainën. Ndeshja e parë është të enjten prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja tjetër luhet të dielën në Lituani.

“Ndeshjet janë kualifikuese për Evropian dhe me rëndësi shumë të madh. Në rast të fitores në Prishtinë i afrohemi shumë qëllimit të madh. Kombëtarja po punon me përkushtim maksimal, ndërsa presim edhe përkrahje nga shikuesit.

Termini i ndeshjes është shumë i përshtatshëm, kështu që shpresojmë që të ketë sa më shumë tifozë në palestër”, ka thënë sekretari i përgjithshëm Arifi.

Thirrje për përkrahje nga shikuesit dhe mediat ka bërë edhe presidenti Kolgeci. Ai ka thënë se FHK-ja është angazhuar maksimalisht dhe i ka bërë të gjitha përgatitjet për këto dy ngjarje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat