Deputetja e AAK-së flet për “Bota sot”: Aleanca nuk njihet si parti që vendos vija të kuqe, por...

Intervista

Deputetja e AAK-së flet për “Bota sot”: Aleanca nuk njihet si parti që vendos vija të kuqe, por...

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 tetor 2024 Në ora: 08:26
Albana Bytyçi

Për situatën aktuale në vend dhe zhvillimet e fundit, në një intervistë për “Bota Sot”, ka folur deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi. Ajo ka thënë se situata politike nuk është e favorshme për Kosovën.

Sa i përket urës së Ibrit, ajo thekson se duhet të hapet, por gjithmonë në koordinim me SHBA-në dhe aleatët tanë, duke shtuar se çdo tentativë për hapjen e saj së fundmi ka qenë në shërbim të fushatës zgjedhore.

Për situatën dhe veprimet e Qeverisë në veri, deputetja Bytyçi thotë se, edhe pse në dukje duket e qetë, tensioni vazhdon të jetë permanent.

Sa i përket zgjedhjeve, ajo është shprehur se partia e saj do të hyjë në garë për të fituar.

Ndërsa, për koalicione pas-zgjedhore, deputetja thekson se AAK nuk njihet për vijat e kuqe ndaj partive politike.

Image
Albana Bytyçi

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Znj. Bytyçi, si e shihni situatën aktuale politike në Kosovë?

Deputetja Albana Bytyçi: Jo të favorshme për ne, marrë parasysh ngjarjet e njëpasnjëshme që kanë ndodh për shkak të politikave jo të duhura të kryeministrit në ikje, Albin Kurti.

“Bota sot”: Si i keni parë deklarimet e Kurtit për hapjen e urës në veri, dhe sipas jush a do të hapet ura siç është trumbetuar muajt e fundit?

Deputetja Albana Bytyçi: Që është mirë dhe duhet të hapet ura, themi po, por ashtu siç e kemi theksuar se ky hap duhet të ndodh në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë aleatët tanë. Çdo tentativë për hapjen e urës së fundmi ka qenë në shërbim të fushatës zgjedhore si dhe parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme si masë e politikës populliste e kryeministrit Kurti.

“Bota sot”: Dialogu siç duket aktualisht ka stagnuar, por si pritet të jetë e ardhmja, cili mendoni se duhet të jetë epilogu i bisedimeve në Bruksel?

Deputetja Albana Bytyçi: Stagnimi i dialogut në fazën ku jemi më së paku i konvenon Kosovës dhe më së shumti shtetit të Serbisë sepse përmes stagnimit ose ndaljes së dialogut po ndalon edhe agjenda e Kosovës drejt rrugës euroatlantike. Dialogu duhet të vazhdojë, Kosova duhet të jetë konkrete dhe koherente, si dhe patjetër të kërkoj nga Serbia njohje reciproke.

“Bota sot”: Në veri aktualisht situata është relativisht e qetë, si i keni parë veprimet e Qeverisë atje?

Deputetja Albana Bytyçi: Ndonëse në dukje të parë duket e qetë, tensioni vazhdon të jetë permanent. Politika e Kosovës karshi veriut, duhet të jetë politike afruese dhe integruese dhe jo të ndiqet politikë populliste, me rezultat zero në fund, dhe prishjen e raporteve me ndërkombëtarët.

“Bota sot”: Ju jeni në koalicion me NISMA-n, në rast koalicioni pas-zgjedhor, a keni vija të kuqe për ndonjë parti?

Deputetja Albana Bytyçi: Përpos me NISMA-n, ne jemi në koalicion edhe me Konservatorë, dhe me grupin E30, me të cilët synojmë të udhëheqim qeverinë e Kosovës për katër vitet e ardhshme. Aleanca nuk njihet si parti që vendos vija të kuqe, por që është herët të flasim për koalicione paszgjedhore. Ne në zgjedhjet e 9 shkurtit shkojmë për të fituar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat