Zgjedhjet e 9 Shkurtit: Ramazan Bekteshi parashikon fituesit dhe ndikimin në dialogun Kosovë-Serbi

Intervista

Zgjedhjet e 9 Shkurtit: Ramazan Bekteshi parashikon fituesit dhe ndikimin në dialogun Kosovë-Serbi

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 19 janar 2025 Në ora: 19:52
Katër kandidatët për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK-ja.

Në një intervistë për “Bota sot” në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, si dhe zgjedhjet e reja parlamentare ka folur veprimtari shqiptar nga SHBA, Ramazan Bekteshi.

Si fillim, situatën politike në vend, ai e cilësoi si të qëndrueshme, por të acaruar tej mase mes pozitës dhe opozitës.

Po ashtu, Bekteshi foli edhe për fushatën zgjedhore të partive politike, për të cilat kishte edhe disa kritika, ku potencoi se ka retorikë gjithfarë, shpesh kakofonike nga të gjitha palët.

Image
Ramazan Bekteshi

Për këtë, ai dha edhe një parashikim të mundshëm se si mund të përfundojnë në renditje partitë politike: VV-Guxo, 2. PDK, 3. LDK, 4. AAK-NISMA.

Ndër të tjera, ai foli edhe mbi ndikimin e zgjedhjeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, e këtu foli edhe për Asociacionin.

“Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet pas lufte dhe pas pavarësisë për veriun e vendit tonë. Fati i dialogut është në duart tona, sepse ndërkombëtarët janë ata që bëjnë presion, por firmën e vëmë me duart tona. Dy firmat paraprake për Asociacionin ishin dy tradhti kombëtare që tani ua shohim sherrin në mënyrë kolektive”, nënvizoi veprimtari shqiptar.

Në fund, kishte edhe disa fjalë sanksionet e BE-së ndaj shtetit tonë dhe zgjedhjen e presidentit Trump në SHBA.

Intervistë i plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Bekteshi si e komentoni situatën politike në vend?

Ramzan Bekteshi: Situata politike në vend është e qëndrueshme por njëkohësisht e acaruar tej mase në mes opozitës dhe pozitës sidomos tani gjatë fushatës. Palët e shfrytëzojnë fushatën duke mos zgjedhur mjetin për ta akuzuar njëra-tjetrën për dështimet edhe pse ka edhe shumë shpifje e teprime nga opozita, duke zgjedhur edhe rrugë jonkonvencionale për t’ia arritur qëllimit, duke i shfrytëzuar edhe mjetet e informimit që vazhdojnë të jenë vegël në shërbim të opozitës. Derisa, qeveria me kurajë vazhdon të mbyll zyrat ilegale serbe kudo që ndodhen ato, një veprim që është dashur të bëhet para një dekade, por, që për qeveritë e atëhershme prioriteti për shtrirje të sovranitetit nuk ishte aspak në agjendat e tyre, por, pasurimi meteorikë. Pra, çdo veprim i qeverisë për opozitën është i padëshirueshëm qoftë edhe ai për kontrollin e veriut, i përcjellë me kritika të ashpra.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen Kurti dhe punën e partive opozitare në Kuvend, gjatë këtyre katër viteve?

Ramzan Bekteshi: Qeverisja e Kurtit ka qenë diametralisht e kundërt me qeveritë paraprake si për nga qasja dhe po ashtu nga trajtimi i problemeve. Kjo është qeveria e parë pas pavarësisë që e përfundoi mandatin deri në fund. Edhe pse në disa sektorë qeveria nuk u tregua dhe aq e suksesshme, në disa të tjerë ajo tregoi vizion, vetëmohim dhe realizim të detyrave qe ia kishte vënë vetvetes. Zvogëlimi i korrupsionit dhe shtrirja e sovranitetit në veri të vendit ishin veprat që ata shkëlqyen. Kjo qeveri theu shumë dogma dhe barriera që gjatë qeverive të kaluara as që janë menduar. Ajo e theu mitin se ndërkombëtarët, aleatët nuk duhet dëgjuar çdo herë, posaçërisht kur cenohet sovraniteti i vendit, dhe e bënë këtë me shumë kurajë. Shpesh dukej sikur e drejtojnë ‘lokomotivën’ edhe në një binarë, dhe derisa të gjithë pritnin që ajo të dali nga ‘shina’ e të përplaset, ajo realizonte misione të pa imagjinuara në veri të vendit, edhe pranë rezistencës e kritikave të bashkësisë ndërkombëtare, edhe pas kritikave të pandërprera të opozitës, dhe sulmeve paramilitare e terroriste të Serbisë. Kuptohet se kjo kishte një kosto për pjesën tjetër të vendit, por që ia vlente.

Për opozitën në parlament mund të thuhet, se ishte një dështim total, duke mos qenë në gjendje të bëje opozitarizëm të denjë parlamentar në interes të vendit, por parlamentin e shfrytëzuan dhe e shndërruan në një teatër për zënka, si një arenë për faqe të zezë.

Gazeta “Bota sot”: Si i keni parë fushatat zgjedhore të partive politike?

Ramzan Bekteshi: Nga larg i shohim në kufijtë e normales, me retorikë gjithfarë, shpesh kakofonike nga të gjitha palët. Opozita fort prezente, e koncentruar fort se si të marri pushtetin. Ata, aleatë kryesor i kanë edhe mediat, analistët dhe disa OJQ. Janë vërejtur disa parti më shumë e disa më pak duke u marrë suksesshëm edhe me logjistikën e transportit me autobusë, duke ekspozuar një numër të njëjtë njerëzish kudo që shfaqen dhe kjo mund t’i kushtoj ndonjërës parti në ditën e zgjedhjeve. Urojmë që këto zgjedhje të shpallen si më të pranuarat në rajon.

Gazeta “Bota sot”: Të gjitha partitë po pretendojnë në fitore, cilat janë pritshmërinë tuaja për zgjedhjet e 9 shkurtit?

Ramzan Bekteshi: Është joreale që të gjitha partitë të lavdërohen se do të fitojnë, sepse sipas sondazheve fituesi dihet, është VV-ja. Çështja është se a është ajo në gjendje të fitojë mbi 50% për të qeveris vetëm edhe pse unë, personalisht, nuk e favorizoj këtë qasje, e as të gjitha së bashku me opozitën.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni renditjen e partive politike?

Ramzan Bekteshi: 1. VV-Guxo, 2. PDK, 3. LDK, 4. AAK-NISMA

Gazeta “Bota sot”: A mund të ketë ndonjë koalicion befasues?

Ramzan Bekteshi: Nuk pritet edhe pse do të dëshiroja ta shihja njërën nga dy partitë opozitare me fituesen, VV-në!

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, ka pasur akuza dhe kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti në lidhje me kritikat e tij ndaj disa bizneseve të fuqishme dhe analistëve/mediave të caktuara. Si e shihni ju këtë nga këndvështrimi juaj?

Ramzan Bekteshi: Këto kritika më duken normale dhe reciproke kur dihet se oligarkët kanë shumë mundësi të financojnë në PR, media, analistë, e forma tjera që të kenë ndikim, kontroll, dhe ta bëjnë ndryshimin në interes të bizneseve të tyre. Disa analistë dhe media me kritikat e tyre ekstreme kanë shkuar aq larg sa kryeministrin e quajnë fashist, Hitler, apo se vepron ngjashëm në veri kundër serbëve si Millosheviqi dikur kundër shqiptarëve, mu në kohën kur ai shtrinte sovranitetin në veri. Pra, kjo më shumë i ngjan propagandës, dhe mercenarizmit se sa gazetarisë së paanshme e të pavarur. Kështu që Kurti me të njëjtin stil ua kthen dhe nuk e ka problem që tu kundërvihet të gjithëve për hir të principeve të tij tani më të njohura dhe të fitojë.

Gazeta “Bota sot”: Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian, a është koha që të hiqen ato dhe pse është vonuar kaq shumë në heqjen e tyre?

Ramzan Bekteshi: Ka kohë që BE, SHBA dhe pjesa tjetër botës është në një udhëkryq të ngatërruar, me qeverisje ekstreme e antagonizma, me aspirata ambicioze nacionaliste, me të gjitha ekstremet e mundshme, dhe në këto rrethana gjithmonë tentohet që më i dobëti të ndëshkohet sepse harxhi i tyre është më i vogël. BE dëshiron t’ia arrij qëllimit politik në rastin e Kosovës edhe me presion ekonomik dhe ajo shfrytëzon edhe ndasitë tona në maksimum. Sot, BE ende mbetet e paparashikueshme për shkak të zhvillimeve dramatike brenda saj dhe nëpër botë, dhe epiqendra e vëmendjes është diku tjetër. BE, pa Mbretërinë e Bashkuar s’është ajo që ka qenë.

Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, cili do jetë fati i dialogut Kosovë-Serbi pas përfundimit të zgjedhjeve?

Ramzan BekteshiKëto zgjedhje janë më të rëndësishmet pas lufte dhe pas pavarësisë për veriun e vendit tonë. Fati i dialogut është në duart tona, sepse ndërkombëtarët janë ata që bëjnë presion, por firmën e vëmë me duart tona. Dy firmat paraprake për Asociacionin ishin dy tradhti kombëtare që tani ua shohim sherrin në mënyrë kolektive. Po kështu ndodhi me demarkacionin ku humbëm tokë me dy shtete fqinje më të dobëta se ne. Kur të ballafaqohesh me një shtet si Serbia dhe kur të merret parasysh se sa keq ish-liderët e kanë menaxhuar situatën, qoftë me asociacionin, qoftë me aleancat me Listën serbe, qoftë me lejimin e institucioneve paralele për një kohë aq të gjatë. Nëse në pushtet vinë dy partitë që i bënë aq shumë lëshime Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare ekziston rreziku edhe me lëshime të reja, dhe me ardhjen e Listës serbe në pushtet, dhe me pjesëtarët serb në polici dhe pa i kontrolluar ata që të punojnë për shtetin tonë, veriu që është i konsoliduar dhe nën kontroll mund të rrëshqas në duar të kriminelëve dhe të Serbisë. Pra, ata që s’i durojnë presionet e ndërkombëtarëve dhe ata që i pranojnë lëshimet në dem të sovranitetit nuk do të duhej që ta marrin timonin e dialogut. Me këto zgjedhje, dialogu dhe sovraniteti i vendit është në duar të votuesit.

Gazeta “Bota sot”: A mund të pritet ndonjë zhvillim i rëndësishëm duke parë qasjen e Serbisë dhe ndryshimet që kanë ndodhur në BE?

Ramzan BekteshiNdryshime në BE kanë ndodhur por ende nuk është qartë se si do të ndodhin aleancat e reja brenda BE-së dhe SHBA-së me BE-në e me botën. Pra, nëse më pyetni mua, unë jam një optimist i brengosur me zhvillimet që mund të pasojnë. Por nëse ne jemi të vendosur për sovranitet dhe nuk dorëzohemi dhe nuk përçahemi, puna do të kryhet si e meriton Kosova. Një gjë duhet ta kenë të qartë politikanët tanë, se zhvillimet në Serbi nuk do ta ndryshojnë mentalitetin e tyre për Kosovën sepse si pozita e opozita dhe studentët mendojnë ngjashëm kur është në pyetje Kosova. Fati i Kosovës është në duar të shqiptarëve dhe për ta kapitalizuar këtë trysni finale, na mbetet të veprojmë me vigjilencë e kurajë.

Gazeta “Bota sot”: Për fund, çfarë ndryshimesh prisni në Kosovë pas zgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së? Në çfarë aspektesh mund të ndikojë në shtetin tonë, politika e administratës Trump?

Ramzan Bekteshi: Ndryshimi ka ndodhur në SHBA, ajo mbetet aleatja jonë më e besueshme dhe ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë. Interesi ynë dhe i Amerikës është i përbashkët. Por të jemi të sinqertë, as shumica e amerikanëve s’e dinë se si do të veproj presidenti Trump 2 me stafin e tij të ri. Kur është në pyetje trysnia, ata si liderë të botës së lire do të bëjnë trysni edhe mbi ne që të zgjidhet nyja Ballkanike që po zvarritet. Por, nëse ne e kemi mësuar mësimin nga Dejtoni dhe dorëzimin e Izetbegoviq-it, kjo na mjafton. Për hatër të SHBA-ve edhe Bosnja edhe Ukraina bënë lëshime, por kur të dyja këto dolën humbëse, Holbruk-u kërkoi falje publike për gabimin që lejoi krijimin e Republika Srpska, edhe Klintoni u kërkoi falje ukrainasve për presionin që ua bëri për të hequr dorë nga armët bërthamore, por kërkim falja nuk u ndihmoi dhe këto dy shtete vazhdojnë të vuajnë në pafundësi, që i bie se as amerikanët nuk janë të pagabueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat