Gjeka: Ministrat pro-serbë ndikuan në prishjen e një atmosfere të mirë me fqinjët e Malit të Zi

Intervista

Gjeka: Ministrat pro-serbë ndikuan në prishjen e një atmosfere të mirë me fqinjët e Malit të Zi

Më: 9 shkurt 2025 Në ora: 19:27
Fatmir Gjeka

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka vlerëson në një intervistë për Zërin e Amerikës se qëndrimet e ministrave të partive pro-serbe dhe pro-ruse në qeverinë e vendit të tij kanë ndikuar, siç thotë ai, “në prishjen e një atmosfere të mirë” që ka ekzistuar me fqinjët në të kaluarën.

Por ai thotë, se ndonëse politikat e tyre mund të paraqesin “një pikë të dobët”, ato nuk do të ndikojnë në realizimin e agjendës evropiane të Malit të Zi dhe as në çështje siç është njohja e pavarësisë së Kosovës.

Në një intervistë me kolegen Garentina Kraja, Ministri Gjeka thotë se me zhvillimet e fundit politike në Serbi, ku po mbahen protesta kundër qeverisë, ndikimi i këtyre subjekteve politike në Mal të Zi gjatë kohëve të fundit është zbehur. Ai kritikoi edhe masën e kryeparlamentarit Andrij Mandiç ndaj opozitës si dhe flet për pritshmëritë ndaj angazhimit të administratës së re në Uashington.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjeka, gjatë javëve të fundit kriza politike në Malin e Zi po thellohet. Opozita po bojkoton parlamentin duke akuzuar shumicën se po rrezikon institucionet shtetërore duke ndërmarrë veprime që bien ndesh me kushtetutën. Cili është vlerësimi juaj?

Fatmir Gjeka: Është kënaqësi të jem për herë të parë në studion e Zërit të Amerikës dhe një privilegj të jem këtu për Mëngjesin e Lutjeve. Mali i Zi pas vitit 2020 ka hyrë në një ndryshim që erdhi pas 30 viteve të një ndryshimi të qeverisjes tjetër. Faktikisht është qeveria e tretë brenda këtyre pesë viteve që formohet me një zgjedhje të parakohshme në 2023.

Është një lloj krize, por nuk mund të them që është e qeverisë. Qeveria ka një shumicë të madhe në parlament; me hyrjen e boshnjakëve është bërë një shumicë e madhe. Kemi disa protesta pas ndodhive në Cetinë. Parlamenti këto ditë ka patur një bllokadë institucionale me votimin e këshillit kushtetues në parlament ku ka votuar për të shkarkuar një anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Opozita ka ndërmarrë veprime për të bllokuar parlamentin. Ne si popuj pakicë kemi patur një takim të përbashkët – shqiptarët, boshnjakët, kroatët, jemi duke bërë një strategji të përbashkët dhe duke përcjellë me vëmendje krizën dhe mendojmë që në vijim, si pakica, të kemi një qëndrim të përbashkët.

Ajo që është me rëndësi është të aprovohet buxheti, i cili është në rend të ditës sot, për të zhbllokuar situatën financiare, për të plasuar pensionet dhe atë që është me rëndësi për qytetarët. Pastaj do të shohim çfarë do të sjellë situata. Është me rëndësi mos të kemi devijim nga rruga jonë euroatlantike.

Të qëndrojmë te kriza politike. A konsideroni se veprimi i kryetarit të parlamentit Andrij Mandiç, i cili shpalli masën e largimit për shumicën e deputetëve të opozitës, që penguan mbledhjen e Kuvendit, a ishte ky vendim i arsyeshëm? A ishte masë e arsyeshme dhe e nevojshme dhe çfarë arriti realisht opozita me këtë bojkot?

Fatmir Gjeka: Është normale që kur je në opozitë, merr veprime kur ka një akt të tillë siç ka qenë ai për këshillin kushtetues në parlament dhe pastaj duke rënë ndesh, sipas opozitës dhe juristëve, me Kushtetutën. Janë bërë disa bisedime dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë ndërmjetësuar mes shumicës dhe opozitës. Kanë arritur deri te vendimi për të zhbllokuar zgjedhjen e institucioneve në Budvë pas zgjedhjeve lokale. Është zgjedhur kryetari i parlamentit lokal dhe pastaj duhet të zgjidhet edhe kryetari i komunës, një zhbllokim që e ka kërkuar opozita. Tani kërkohet mendimi i Komisionit të Venecias për këshillin kushtetues në parlament për të marrë udhëzime të mëtejshme për anën juridike se si duhet vepruar.

Është hera e parë që një kryetar i parlamentit merr një masë të tillë. Është hera e parë. Nuk do të hyjë më gjatë të komentoj për të drejtën që ka kryetari i parlamentit në bazë të rregullores. Ajo që kam arritur të vërej është se është bërë për të zhbllokuar aprovimin e buxhetit... Ajo që është negative është se është hera e parë që një kryetar i parlamentit ndërmerr një masë të tillë ndaj deputetëve, një largim 15 ditor më duket.

Çfarë mendoni ju si ministër për këtë masë ?

Fatmir Gjeka: Nuk mund të hyj në një të drejtë të cilën e ka kryetari i parlamentit. Kur e përmend që është hera e parë, do të thotë nuk e mendova në anën pozitive, e mendova si gjest që nuk është bërë më përpara.

Dua t’iu pyes edhe për marrëveshjen e propozuar për tejkalimin e krizës nga opozita. Si e vlerësoni këtë marrëveshje e cila ka për qëllim krijimin e një konsensusi rreth çështjeve madhore, të cilat kanë potencialin për të përçarë opinionin publik në Mal të Zi?

Fatmir Gjeka: Unë në përgjithësi jam për të afruar qëndrimet dhe për një frymë pajtuese. Ne kemi një pjesë të ministrave në qeveri të cilët nganjëherë ikin nga qëndrimet e qeverisë kur është fjala për politikën rajonale, kur është çështja e Kosovës. Ju e dini si se edhe me Kroacinë kemi hasur në një rezolutë të panevojshme të aprovuar në parlament dhe ata pastaj kanë vendosur në listë të personave non-grata kryetarin e parlamentit dhe disa të tjerë. Me rikonstruktimin e qeverisë kanë hyrë disa ministra nga Fronti Demokratik. Megjithëse ata nuk janë kyç për vendimmarrje, sepse 90 për qind janë pro-evropiane dhe forca pro-euroatlantike, duhen përcjellë me vëmendje këto subjekte politike, të cilat në mënyrë ideologjike, janë pjesë e qeverisë, por nuk ndajnë idetë si pjesa dërmuese e qeverisë dhe popullsisë në përgjithësi në Mal të Zi, duke ditur që 80 për qind e popullsisë në Mal të Zi, sipas sondazheve, janë të orientuar për të hyrë në Evropë dhe që Mali i Zi të jetë një anëtare e devotshme, e sigurt në NATO, për të pasur marrëdhënie të mira me fqinjët.

Kështu që nganjëherë politika e këtyre ka ndikuar që të prishim atmosferën e mirë që kemi patur më përpara me fqinjët. Unë shpresoj që forcat dominuese politike janë për atë që edhe unë, edhe ne e kemi si pakica kombëtare, për integrim në BE dhe strukturat euro-atlantike.

A ka rrezik real për tërheqjen e njohjes të Kosovës?

Fatmir Gjeka: Jo. Në asnjë mënyrë.

Cili do të ishte qëndrimi juaj?

Fatmir Gjeka: Ne nuk do të ishim pjesë e qeverisë nëse merrej një hap i tillë.

Dua t’ju pyes për ndikimin e Rusisë dhe Serbisë në Mal të Zi. Është shqetësim i vazhdueshëm i ekspertëve të rajonit, por edhe i kritikëve të qeverisë tuaj. Sa ndihet ky ndikim? Cili është rreziku që vjen nga ai?

Fatmir Gjeka: Ndikimi rus nuk është direkt, është indirekt përmes Serbisë dhe është një ndikim gjatë gjithë periudhave, jo vetëm për këtë qeveri, por edhe përpara. Ndoshta edhe një dekadë më parë, gjithmonë Rusia është përpjekur që përmes Serbisë të ketë ndikim në Mal të Zi në një mënyrë apo tjetrën. E thashë indirekt, por duke ditur tani se çfarë është duke ndodhur në Serbi, mendoj që edhe atje janë duke u bërë disa lëvizje të cilat kanë përkrahjen edhe të fqinjëve, të Kroacisë, të Bashkimit Evropian. Edhe Madonna i përkrah lëvizjet studentore në Serbi dhe mendoj që do të ketë edhe atje ndryshime të cilat sipas gjasave pritet të ndodhin. Ky ndikim, të cilin Serbia vazhdimisht është munduar ta ketë përmes subjekteve që përmenda, Frontit Demokratik, që t’i ketë si një dorë të vetën në Mal të Zi, do të zbehet. Dhe në këtë moment që janë duke ndodhur protestat në Serbi, shihet që edhe në Mal të Zi këto subjekte janë më të vakta, ose mund të them të zbehta këto ditë, me veprimet, që janë duke ndodhur atje. Kështu që mendoj që duhet përcjellë me vëmendje ky ndikim indirekt i Rusisë në Mal të Zi.

Unë e di se një pjesë e madhe, dërmuese e politikës shtetërore në Serbi është që Mali i Zi nuk duhet të jetë shtet i pavarur, nuk duhet të jetë shtet në NATO, Mali i Zi ka gabuar me veprimin që njohu Kosovën si shtet dhe shumë gjëra të tjera dhe kjo është evidente. Por, shumica dërmuese në Mal të Zi nuk mendon ashtu dhe për këtë arsye Mali i Zi është aty ku është. Por, veprimet e fundit, të cilat kanë ndodhur me fqinjët, të iniciuara nga forcat që kanë përkrahjen nga Serbia e kanë prishur atmosferën pak me fqinjët, jo në një mënyrë që të kemi një bllokadë diplomatike, por atmosferën e të qënit shembull si shtet në rajon.

Pas ngjarjeve në Cetinë, a i mbështesni kërkesat e studentëve? Ata po kërkojnë përgjegjësi nga sektori i sigurisë. A mendoni se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ka ndodhur?

Fatmir Gjeka: Unë jam anëtar i qeverisë dhe disa deklarata dhe opinione të miat janë edhe të kufizuara, nuk mund t’i japë si një qytetar i thjeshtë. Normalisht që kanë të drejtë studentët të protestojnë, është e drejtë e qytetarëve të kërkojnë përgjegjësi. Ajo që ka ndodhur na ka prekur të gjithëve. Në një vend shumë të vogël, kjo i bie sikur në SHBA të ndodhin 7 mijë ose 8 mijë vrasje brenda një dite, në bazë të popullsisë. Në një vend të vogël si Mali i Zi të ndodhin aq vrasje brenda një dite ka qenë shumë fatale dhe prekëse jo vetëm për qytetin, por për të gjithë shtetin dhe pastaj kjo nxiti protestat.

Tashmë kemi këtu një administratë të re. Ishit pjesëmarrës në Lutjet e Mëngjesit, ku të pranishmëve iu drejtua Presidenti Trump. Cilat janë pritjet tuaja për angazhimin e administratës së re amerikane në rajon?

Fatmir Gjeka: Ne kemi një diasporë të fuqishme këtu në SHBA, sidomos në Nju Jork dhe pjesët e Nju Jorkut. Ardhja e një presidenti republikan apo demokrat në politikën nga jemi ne, nuk ka patur ndonjë ndryshim të madh, një dallim të madh dhe sërish e shoh se nuk do të ketë ndonjë dallim të madh në politikën në Ballkan. Do të mendoja që përkundrazi do të jetë një (politikë) shtytëse e proceseve të integrimit në BE ose e pajtimit, ose të marrëveshjeve të ndryshme, siç e thotë Presidenti gjatë gjithë deklaratave për gjithë globin, për të qetësuar dhe për të patur paqe. Uroj që të shkojnë në këtë frymë. Asnjëherë nuk kam patur dyshim në politikën amerikane. Ndoshta për shkak se ne shqiptarët jemi pro-amerikanë dhe nuk i vërejmë dallimet se kush vjen president.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat