Fushë Kosova apo Fushë-Kosova, profesori tregon si shkruhet saktë emri i qytetit

Kosova

Fushë Kosova apo Fushë-Kosova, profesori tregon si shkruhet saktë emri i qytetit

Më: 10 korrik 2022 Në ora: 18:55
Foto ilustrim

Njohësi i gjuhës shqipe, Ilmi Rexhepi, ka treguar mënyrën e saktë që sipas tij shkruhet emri i qytetit të Fushë-Kosovës.

“Sipas rregullave përkatëse të drejtshkrimit shkruhet Fushë-Kosova”, ka shkruar ndër tjerash ai.

Shpjegimi i Rexhepit

Fushë Kosova apo Fushë-Kosova?

Shpesh shohim të shkruar: Fushë Kosova, i Fushë Kosovës…

Sipas rregullave të drejtshkrimit, duhet të shkruhet Fushë-Kosova, pra, me vizë lidhëse në mes.

Ja si e përcakton rregulla përkatëse e drejtshkrimit:

“Emrat e përbërë të krahinave e të fshatrave të vendit tonë, me lidhje bashkërenditëse, ndajshtimore ose me lidhje përkatësie:

Ballaj-Vendas, Bardhaj-Reç, Çal-Barzez, Çerkez-Morinë. Çermë-Biçak, Dars-Fshat, Mborje-Drenovë, Nikaj-Mertur, Pezë-Helmës, Rreth-Greth etj.; Gjeçaj–Kodër, Labinot-Fushë, Labinot-Mal, Papër-Sollak etj., Dushk-Peqin, Fier-Shegan, Fushë-Arrëz, Fushë-Lurë, Fushë-Muhur, Krej-Lurë, Kulej-Papër, Lab-Martalloz, Nivicë-Bubar, Toskë-Martalloz, Ujë-Lurth, Zall-Dajt, Zall-Dardhë, Zall-Herr etj.”

Tash (në thelb, nga viti 1989) që Fushë-Kosova është bërë qytet (komunë), duhet plotësuar rregulla drejtshkrimore e sipërshkruar. Aty ku shkruan:”Emrat e përbërë të krahinave e të fshatrave të vendit tonë…”, duhet të plotësohet:

“Emrat e përbërë të krahinave, të qyteteve e të fshatrave…”.

Mund të jetë edhe kjo që Fushë-Kosova ishte qytet edhe më 1972, por ata të Shqipërisë nuk kanë njohur mirë, ose nuk kanë konsideruar aq Kosovën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat