Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se në takimin e zhvilluar të Këshillit te Kryetarëve të Asociacionit të Komunave me presidenten Vjosa Osmani, derisa është diskutuar për tendencën e ndërhyrjes së pushtetit qendror në komuna, Osmani ka thënë se çdo goditje ndaj komunave është goditje ndaj qytetarëve.
Idrizi ka thënë se sipas presidentes, parimi i ndarjes së pushteteve është baza e funksionimit të institucioneve demokratike.
“Presidentja i ka dëgjuar me vëmendje, u pajtua për to. Te pjesa e tendencës së ndërhyrjes së pushtetit qendror në komuna, presidentja theksoi se parimi i ndarjes së pushteteve është baza e funksionimit të institucioneve demokratike. Kryetarët e komunave janë presidentë lokalë dhe duhet t’i kenë kompetencat ashtu siç janë të garantuara përmes pakos së Ahtisaarit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe theksoi po ashtu se çdo goditje ndaj komunave është goditje ndaj qytetarëve”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se në këtë takim është diskutuar edhe mbi shqetësimin për kontrata kolektive që, sipas tij, komunat janë goditur me rreth 200 milionë euro.
“Agjendë e takimit ishte roli i komunave në parandalimin e dhunës në baza gjinore, roli i përbashkët i pushtetit lokal në zhvillimin e turizmit në vend, bashkëpunimi me presidencën, janë paraqitur edhe shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohen komunat. Diskutuam edhe për kontrata kolektive që komunat në të vërtetë i ka goditur shumë, janë diku mbi 200 milionë euro që janë goditur komunat, vetëm komuna e Vushtrrisë ka paguar rreth katër milionë euro deri tash, ka ende edhe shumë ankesa të mësimdhënësve”, ka thënë ai.
Gjatë takimit të së mërkurës, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, kritikoi Qeverinë për mungesë bashkëpunimi, pasi u ankua se kërkesat e tyre nuk po trajtohen.