20-vjeçari që u lëndua nga shpërthimi po trajtohet në QKUK, i njëjti i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik

Kosova

20-vjeçari që u lëndua nga shpërthimi po trajtohet në QKUK, i njëjti i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik

Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 14:45
Foto ilustrim

Një 20-vjeçar nga Gjakova ka pësuar lëndime të rënda për shkak të shpërthimit të një mjeti shpërthyes që ndodhi në shtëpinë e tij.

I njëjti aktualisht është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka thënë se gjendja e pacientit në momentin e pranimit ishte e rëndë dhe i njëjti është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror.

“Pas trajtimit dhe intervenimit kirurgjik nga ekipi kujdestar në Qendrën Emergjente, pacienti është dërguar në Mjekimin Intensiv Qendror për trajtim të mëtutjeshëm… Gjendja e rëndë”, ka thënë Syla.

Ndërkaq, drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahija tha se momentalisht gjenda e pacientit paraqitet stabile.

“Për momentin është relativisht stabil, presim si do të shkojë gjendja në ditët e ardhshme”, tha Spahija.

Policia e Kosovës bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 01:20 pas mesnate.

“Sot, rreth orës 01:20, një mashkull rreth 20 vjeç është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara nga një mjet shpërthyes. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, dhe sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, aksidentalisht ka shkaktuar shpërthimin e mjetit në shtëpinë e tij, në fshatin Dobrigje-Gjakovë”, njoftoi polica.

Drejtori i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta tha për Telegrafin se ende nuk kanë arritur të ekzaminojnë vendin e ngjarjes për shkak të dyshimit që mund të ketë mjete tjera shpërthyese.

“Nuk kemi arritur ende me ekzaminu vendin e ngjarjes për shkak të dyshimit që mund të ketë mjete tjera të pashpërthyera. Për momentin EOD janë duke kontrolluar zonën”, ka thënë Graishta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat