Gjatë pasdites së sotm është vërejtur tym nga kulmi i ndërtesës së ‘Kino Rinisë’, në Prishtinë, për çka kanë intervenuar zjarrfikësit. Edhe pse e mbyllur pa ndonjë funksion dhe jo aktive, atë sot e mbuloi tymi e flaka.
E ndërtuar në vitin 1953, u qëndroi kohërave të ndryshme për vite të tëra. Sot rreth orës 15.30 filloi ta mbulojë tymi e me vonë edhe flakët.
Lulëzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës tha se zjarri ka filluar diku kah ora 15:30. AI tha se situata është nën kontroll.
“Me të marrë informatën kanë dalë të gjitha njësitë në vend. Për momentin jemi duke intervenuar për të lokalizuar zjarrin dhe por shkaqet se si ka ndodhur është ende herët të flitet, sepse ka pasur mbeturina. Është objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe në mbrojtje të Institutit”, tha Fushtica.
Rreziku ishte i madh edhe për zjarrfikësit të cilët mundoheshin të gjenin mundësi për intervenim por perimetri i hapësirës së asetit, nën mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, i ngufatur nga ndërtimet, ua pamundësonte intervenimin zjarrfikësve.
Fushtica tha se tani për tani nga zjarri nuk rrezikohet asnjë ndërtesë dhe se situata është duke u monitoruar.
Kino Rinia ka funksionuar deri në vitin 2005, pas këtij viti ka shërbyer për veprimtari të tjera.