Nga mesi i muajit maj dhe deri në fund të tij, nxënësit e shkollave të mesme të ulëta dhe të mesme të larta të Kosovës do të gjenden përballë testimit më të madh ndërkombëtarë, PISA, në të cilin Kosova ka përvojë jo fort të mirë. Rreth 230 shkolla përzgjidhen në gjithë Kosovën, përderisa këtij testimi do t’i nënshtrohen rreth 6,500 nxënës. Rezultat e PISA-s në dy testime të kaluara kanë treguar se nxënësit në Kosovë kanë probleme me të lexuarit dhe në fushën e shkencave.
“Testi PISA 2025 do të organizohet nga 10 deri më 31 Maj 2025. Përzgjedhja e shkollave bëhet me mostër të rastësishme duke marr parasysh llojin e shkollës (Gjimnaz, shkollë profesionale dhe shkollë e mesme e ulët}. Duhet theksuar se rreth 85% të nxënësve të moshës së PISA janë në shkollat e mesme të larta dhe 15% në shkollat e mesme te ulëta. Nga Kosova në PISA pritet të testohen rreth 6500 nxënës.”
Testimin e fundit në PISA, Kosova e bëri në vitin 2023, por që në atë listë ishte renditur pothuajse në fund. Nga gjithsej 80 vende pjesëmarrëse ajo zuri vendin e 74-të në matematikë, vendin e 76-të në lexim ndërsa në shkencë u radhit e 77-ta, me tetë pikë rënie në krahasim me testimin paraprak.
E edhe sivjet vështirë që Kosova të zë vend të dëshirueshëm në testin e PISA-s, pasi siç thotë ish zv.ministri i arsimit Dukagjin Pupovci, nuk janë bërë përpjekjet e duhura për të përmirësuar pozitën e Kosovës në PISA.
“…do të ishte mirë por nuk pres rezultate me të mira sesa herën e kaluar. Mund të ketë ndonjë përmirësim të vogël, por thjesht këto vite nuk kanë qenë vite kur janë bërë përpjekje cilësore për të përmirësuar rezultatet e PISËS prandaj edhe nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Është shumë me rëndësi puna që bëhet në klasë, cilësia e teksteve mësimore dhe duke marrë parasysh se ne gjatë këtyre viteve kemi pasur probleme të natyrave të tjera, së pari pandemia, pastaj grevat e kështu me radhë, do të jetë vështirë të pritet që të ketë pasur ndonjë ndryshim të madh në këto parametra, prandaj sdo të ketë ndryshim të madh në rezultate, sepse PISA është një akumulim i shkollimit 9-të vjeçar të nxënesve pra nuk është puna e dy tri viteve të fundit…”, tha Pupovci për tv 21..
As njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, nuk pret përmirësim në performancën e nxënësve kosovarë.
“…nuk mund të ketë rezultat më të ndryshëm se vitet paraprake. Është sistemi i njejtë i mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe ska si të ndryshoj. MASHT-I duhet t’i nxitë e ekspozoj nxënësit në pyetje të ngjashme me të testit PISA. Përsëri nuk pres rezultate më të mira…”, tha Qehaja.
Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, në testimin e fundit më 2023 pati thënë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar në rezultat. Ajo tha se rezultat të ngjashëm kanë parashikuar edhe raportet vendore dhe ndërkombëtare dhe se pandemia ka ndikuar në performancën edhe të vendeve të tjera. Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale që konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.