Në kuadër të përkushtimit për përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet dhe individët në nevojë, po vazhdon rinovimi i banesave sociale në Qendrën e Banimit Social në Drenas.
Komuna e Drenasit njofton se ky proces po realizohet me masa efikase të energjisë, duke siguruar kushte më të mira dhe më të qëndrueshme për banorët.
“Ky projekt është duke u zbatuar në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci me qëllim të rritjes së efiçencës energjetike dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve që përfitojnë nga banimi social”, thuhet në njoftimin e komunës.
Po ashtu, thuhet se drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqene Sociale, Lumnije Krapi, theksoi se mbeten të përkushtuar për të mbështetur kategoritë sociale dhe për të investuar në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.