Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve T.D., (shtetas i Republikës së Kosovës), dhe A.N., (shtetas i Republikës së Shqipërisë), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit nga data 10.10.2024 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”nga neni 191, par.2, pika 2.1 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, me datë 09.10.2024, rreth orës 21:15 në fshatin Gjonaj – Komuna e Prizrenit, të pandehurit T.D., dhe A.N., marrin dhe e mbajnë personin L.M., me qëllim të fitojnë dobi pasurore apo dobi tjera, ose me qëllim që ta detyrojnë atë apo personin tjetër që të kryejë ose të mos kryejë një veprim ose të durojë diçka, në atë mënyrë që shkojnë me automjetin e tyre në afërsi të shtëpisë së viktimës, të cilin e presin të dalë nga shtëpia, dhe në momentin kur i njëjti i afrohet automjetit të tyre, fillojnë paraprakisht ta godasin me shqelma dhe përmes forcës e fusin në veturë dhe largohen në drejtim të Shqipërisë, përmes rrugëve alternative – malore, duke iu shmangur kalimit të rregullt kufitar dhe në rrugë e sipër, pas një bashkëpunimi në mes së Policisë së Kosovës dhe asaj të Republikës së Shqipërisë, të njëjtit ndalohen nga e Policisë së Shqipërisë, të cilët shoqërohen në pikën kufitare të Qafë Prushit ku edhe i dorëzohen autoriteteve të Policisë së Kosovës, me ç’rast viktima ka pranuar tretman mjekësor fillimisht pranë një Qendre të Mjekësisë Familjare në Gjakovë e më pas edhe pranë Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.
Po ashtu, prokurori i çështjes ka propozuar që të konfiskohet vetura si mjet i cili u ka shërbyer dhe mundësuar të pandehurve kryerjen e veprës penale.