Operacioni “Befasia” sekuestron drogë në Mitrovicë – arrestohet një person

Kronikë e zezë

Operacioni “Befasia” sekuestron drogë në Mitrovicë – arrestohet një person

Më: 12 mars 2025 Në ora: 09:19
Foto nga vendi i ngjarjes

Me datë 11 mars 2025, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm në qytetin e Mitrovicës, ku janë sekuestruar substanca narkotike dhe janë arrestuar dyshuarit për aktivitetet e paligjshme të trafikimit.

Operacioni, i koduar “Befasia”, është realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë – Mitrovicë Jug.

Në kuadër të këtij kontrolli të planifikuar, janë gjetur dhe sekuestruar 24 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë totale 7.5 gram, 6 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë totale 68.7 gram, dhe 4 tableta Ekstazi me peshë totale 2.2 gram”, njofton policia.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe qese të zbrazëta që përdoren për paketimin e substancave narkotike në sasi të vogla, si dhe një telefon mobil që dyshohet se është përdorur për aktivitetet e paligjshme.

Në vendin e ngjarjes ka dalë një ekip i Krimteknikës Rajonale, i cili ka kryer fotografimin, evidentimin, matjen dhe sekuestrimin e të gjitha provave materiale. Hetuesit e DHTN-së, pas realizimit të veprimeve operative, kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës,” njoftoi Policia e Kosovës.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e policisë, i dyshuari kishte një dënim të formës së prerë prej 2 vitesh burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore të Mitrovicës është informuar mbi rastin dhe ka urdhëruar që pas intervistimit, i dyshuari të dërgohet në vuajtje të dënimit.

Pas intervistimit, i dyshuari është dorëzuar në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku është dërguar për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë,” thuhet tutje në njoftim.

Ky aksion është një tjetër hap në luftën e vazhdueshme të Policisë së Kosovës kundër krimeve të organizuara dhe trafikimit të narkotikëve, dhe tregon angazhimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve.

Policia e Kosovës ka theksuar angazhimin e saj për të zbuluar dhe parandaluar aktivitetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe rendin publik, veçanërisht ato që rrezikojnë shëndetin e rinisë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat