Në kuadër të veprimeve dhe masave parandaluese në ofrim të sigurisë në shkolla, zyrtarë policor në kuadër të Stacionit Policor në Vushtrri, gjatë ditës së sotme me datë 12.03.2025 kanë zbatuar masa dhe kontrolle sigurie në shkolla.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se këto kontrolle janë kryer përmes urdhër- kontrollit në bazë urdhëresës së lëshuar nga Gjykata kompetente me ç‘rast janë kontrolluar mbi 1379 nxënës, të shkollave të mesme të ulëta dhe të larta në Vushtrri.
“Gjatë kontrollimit, në njërën prej shkollave në posedim tek nxënësit brenda hapësirave të shkollave janë gjetur dhe sekuestruar, një thikë, një maskë, dhe një boks metali”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se veprimet policore dhe provat e gjetura materiale i janë paraqitur prokurorit kompetent dhe me rekomandim të prokurorit është iniciuar rasti për veprën penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës dhe municionit”.
“Policia mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ndërsjellë me autoritetet e arsimit në parandalim dhe ofrimin e sigurisë në shkolla”, thuhet ndër të tjera.