Rapsodi i folklorit shqiptar, Salih Krasniqi (Drenoc, Llapushë)bashkë me Ferizin patën kënduar në të gjitha trevat etnike shqiptare në Ballkan. Kënga burimore e folklorit, i krijuar nga gjeniu ynë, ishte vetë populli shqiptarë nëpër katrahurat e përgjakura të kohës, që e bënin pajada fqinjët tanë grabitqarë.
Në një dasëm,Salih dhe Feriz Krasniqi shkuan në Llap për të gëzuar familjen e llapjane për martesën e mashkullit. Në odën e burrave në Llap, Salih Krasniqi ia tha këngës së Demë Ahmetit, të Azem Bejtës, për të hedhë dritë nëpër historinë e mbretërve dhe krajlive me yryshit vrastare kundër popullit shqiptar dhe për tokën e djegur të Kosovës.
Pasi i lanë për pak qaste sharkitë, rapsodët e njohur filluan të bisedojnë me llapjanët për hallet e jetës,për historitë dhe trimëritë e kësaj ane të Llapit në mbrojte të tokës shqiptare.
Për një moment, dikush në odën e burrave u dëgjua duke u thanë të tjerëve:
Po vjen sekretari i partie, po vjen...-dhe burrat në odë bëheshin gati që ta prisnin sa më mirë si njeri të hyqymetit.
Për ketë arsye Sali Krasniqi u bë goxha merak se kush po vjen dhe kush ishte ky sekretari i partisë(Komiteti i kohës në Llap).
Sali Krasniqi aty afër e kishte një plak llapjan dhe po e vet:
- Po kush asht ky sekretari i partisë që jeni trazu kaq shumë?-e plaku pranë tij nisi të flasë fjalë të mira për të.
- Salih, ky asht sekretari i partisë, emrin e ka Jetullah Gashi, asht njeri i mirë, i urtë dhe e kemi në anën tonë,-po i thotë varg e varg plaku i Llapit.
Salih Krasniqi, pa nji pa dy, po i thotë plakut llapjan:
- Unë bre jarani jem e kam pas babën shumë të shtirë për një cikërrimë e merrte stupcin dhe na bënte paqare. E ka pas emrin Bajram Drenovci i njohur në atë kohë, po i thotë Salihu plakut llapjan. Dhe kur e pa rapsodi se tanë ketë nderim që po i bëjnë sekretarit të partisë, i tha edhe këto fjalë:
- Unë isha fëmijë goxha lazdran dhe nuk i lesha dy gurë bashkë. Një ditë e bëra një qeder dhe kur me pa baba Bajram e mori stupcin dhe bëni yrysh të me rreh. Por, në këtë gjendje se kah me i mbajt, shkova dhe i rashë në prehrin e gjyshes plakë,-po u thotë burrave llapjan në odë, Sali Bjarmi Krasniqi.
Tani çfarë u bë, gjyshja plakë nuk mund të shpëtonte vetën dhe bashkë të dytë ia nisëm e po qajmë. Qaj gjyshja e qaj unë, kështu mezi shpëtova nga stupci i babës Bajram,-u tha burrave në fund të këtij muhabeti.
Porosinë e meselesë të Salih Krasniqit, burrat e Llapit e kuptuan mirë dhe, sikur fliste për sekretarin e partisë, sepse ata në atë kohë të komunizmit kanë mund vetëm të qajnë bashkë me gjyshet plaka të Kosovës...!