Si endacake,
ëndrrash në erë,
robinj vetmie,
por jo viktimë dashurie,
se kur yjet hëna
nis braktis,
qielli zbeh
rrjetën e magjisë
e natën e trishtuar
e mban në kurriz...
Nihiliste...
Trupërisht me shoqërinë ,
shpirtërisht larg saj,jashtë,
përjashtuese e hijes së modernitetit,
të zymtë,të shpërfytyruar,
krejt topitës,
në kadencë unike,çliruese
e shokon çdo qenie...
Arsyetimi...
Arsyeja,kjo forcë udhëheqëse,
drejtuese e veprimit,
e ndërgjegjes së njeriut,
ku shikimi ynë sundon përtej realitetit,
përtej të tashmes.
Falë arsyes zotërojmë kompleksitetin e jetës,
Përballë jetës konkrete zhvillojmë edhe atë abstrakte,
përmes meditimit,si vëzhgues të tërhequr në reflektime,
ku herë bëjmë rolin e aktorit e herë të spektatorit,
Për lumturinë e paqes së brendshme e qetësisë shpirtërore të virtytit
si e mira supreme,
ku shpesh vuajtja na vjen nga dëshira për të pasur e mospasja që shkakton dhimbje,
ku shpresa e pritshmërisë ushqen dëshirën.
E paarritshmja nuk na lë të qetë
e papritur lind dhimbja nga ajo që presim e ajo që na jepet.
Kur na shtypin dhimbjet,
humbasim kontrollin e vetvetes,
përndizemi nga inati e kuptojmë
se nuk e njohim sa duhet jetën dhe botën
e se fati na pengon vullnetin,
Por ne duhet të lartësohemi mbi lëngatat e vuajtjet,
falë privilegjit të arsyetimit...