Xha Avdyli

Kultura

Xha Avdyli

Nga: Agim Xh. Dëshnica Më: 28 gusht 2021 Në ora: 18:03
Agim Xh. Dëshnica

Qyteti i bardhë, ku jetonte Xha Avdyli, struket nën muret e kullat e kalasë me pamje nga Tomori nën borë dhe Shpiragu i përgjumur nën hije. Ndërkohë, lumi mbledh ujërat e rrëmbyer që bien nga malet dhe i ngjesh në ngushticat e thikta shkëmbore. Ditën e natën, ai derdhet nëpër pellgje, herë-herë të përgjakur pas krismave. Me uturimë a në heshtje, turbull apo i kulluar, kalon përmes qytetit e nën urën me shtatë harqe, ku valët dëgjojnë legjendat për ndodhi të dhimbëshme. Më tej lumi shtyhet drejt digës e nën urën e rëndë prej betoni, që do të bashkonte veriun me jugun. Pastaj hapet sërish drejt kodrave të bleruara e maleve në muzg e humbet përtej fushave.

Shtëpia e Xha Avdylit ndodhej në mëhallën e Sarajeve, të pashait, rrafshuar nga një zjarr i madh. Vetë emri Saraje, seç kishte diçka të frikshme. Një mur i ulët me gurë e myshk zgjatej më kot dhe e ndante truallin e shkretë, gjithashtu më kot, nga sokaku e nga shtëpitë përbri. Porta e zymtë me hark të lartë, as hapej e as mbyllej. Pluhuri i tre shekujve mbulonte oborrin e gjerë. Në bahçenë e madhe, pranë lumit, asnjë lis, kumbull fik e man nuk hidhte hije. Asnjë shpend shtegtar nuk ulej kund. Nuk ndihej asnjë cicërimë bengu, as xhi-xhia e gjinkallave. Gjarpërinj e nëpëpërka të rrezikshëm lëvrinin nën ferra e shkurre e nëpër barin e egër.. Në shtëpitë pranë gratë e moshuara rrëfenin me pëshpërimë, se natën në Saraje dukeshn xhinde,- vajza të bukura me veshje të bardha, tek vallzonin pa këngë e pa saze. Nuk dihej nga vinin. Vallë mos dilnin nga valët e lumit, apo uleshin nga qielli?

Në atë mëhallë, më i urti qe xha Avdyli. Plak shtatshkurt, zeshkan, i qethur zero, me takien e bardhë në kokë në çdo stinë, këmishën po me atë ngjyrë kur moti ngrohej, me pas në mbarim të tetorit me pelerinën e zezë.

Çunat e mëhallës udhës e përshëndesnin:

- Mirëmëngjes, pepe Dydyl!

Xha Avdyli, s‘ua dinte emrat, njihte vetëm prindërit e tyre, ndaj u përgjigjej shkurt:

- Mirëmëngjes, trimat e Dylit! - Dhe ecte tutje sokakut.

Ai jetonte me plakën e mirë, xho Gjylen në shtëpinë me portën e ulët përbri atyre me hark të lartë guri e me dy sofate. Në çastet, kur hapej porta e vogël, dukej shtëpia e bardhë përdhese, oborri me pus, kova e shtëmba për ujë, shporta e kosha, litarë e rrjeta për peshkim.

Xha Avdyli, kishte ndërruar, siç rrëfenin në atë qytet të lashtë, tre zanate, nga kovaç në nallban e më së fundi e mbylli si vozaxhi. Sapo u largua nga punishtet, nisi të merrej me punë nga më të ndryshmet. Në shkurret e zallit të lumit priste me sëpatë e nagaçe degë të njoma. Pastaj në shtëpi i hante hollë e hollë për thupra. Deri në orët e vona me to thurte kosha për ngjala dhe shporta për peshk. Me spango liri e litarë sajonte rrjetat e lidhte grepat. Në çastet, kur dëgjonte uturimën e lumit, linte çdo punë e nxitonte për në breg. Atje, futej gjer në bel në rrymën e turbulluar dhe kapte me shportë peshqit gojëhapur, që dihasnin sipër ujit. E shihnin xha Avdylin mbi shkëmb tek hidhte grepat në pellgjet e thella. E shihnin tek hapte krahët e hidhte rrjetën mbi valë. Xha Avdyli shpesh herë u jepte falas fqinjëve peshk e sidomos ngjalat, që kapte me kosh në remën buzë bahçeve. Ai ishte edhe druvar i shkathët. Veç nuk shkonte për dru në asnjë pyll. Miku i tij bujar, lumi, kur vinte i egërsuar nga grykat e maleve, e mbulonte kumsallën me gurë, drurë e shkarpa. Xha Avdyli përgjonte ditë e natë ushtimën e rrymës së vrullshme. Aty nga ora katër e mëngjesit, merrte karrocën e dorës me tri rrota gome, ecte duke e shtyrë mbi gurët e sokakut, kalonte urën e vogël më tej Teqesë së Rufaijve, ku kryhej riti i faljes me shisha apo shtiza e thika dhe hynte në kumsallë. Sapo vinte re, se lumi qe tërhequr në shtratin e vet, ecte nëpër zallishten e mbuluar me degë e trungje të këputur nga pyjet. Mandej, posi djalë i fuqishëm, i mblidhte poshtë e lart, dhe i priste me sëpatë e nagaçe. Ndërsa punonte, ia merrte këngës: “O këndo, moj qyqe, se po vjen behari!...” Emrin behari e zgjaste me afsh: “beejaari!” Së fundi, ngarkonte karron trirrotake. Fqinjët e donin Xha Avdylin, ndaj s’harronin kurrë pa e ftuar nëpër dasma. Atje, me zërin paksa të ngjirur, si më të qarë, ua merrte këngëve me def në duar.

Gjatë luftës për ca muaj u trondit nga bombat e ajrorëve anglezë dhe mitrolozët gjermanë nga kalaja. Në kohën e paqes ata të frontit nisën t’i binin më qafë. Një ditë erdhën dhe i hodhën një sy shtëpisë:

- Ti, shoku Avdyl, - i thanë ata, - ke filluar t’u ngjashë agallarëve! Ai vinte buzën në gaz dhe vazhdonte punën. Njëherë tre policë erdhën natën dhe e morën të lidhur në polici. Dikush e kishte kallxuar se ai ankohej për jetën e vështirë. Ditën e tretë e lanë të lirë pasi i bërtitën:

- Qepe! E mos llap poshtë e lartë, se burgu të pret!

Plaku i gjorë ato ditë nuk u pa askund. I mësuar me peshk e ngjala, tek mendohej i mbyllur në shtëpi, iu shkrep të kapte mbi ujë, nën gurë e shkurre në Saraje, gjarpërinj e nëpërka! Ditën e katërt ia nisi punës me nëpërka. Ashtu siç qenë, i mbështillte në disa shami të bardha, i fuste në xhepat e këmishës e të xhaketës dhe ecte sokakut. Një ditë, tek kthehej nga peshkimi për në shtëpi, me shportën në dorë, çunat e rrethuan dhe iu lutën të shihnin se ç‘kishte zënë. Ai u ndal, buzagaz, nxori shaminë nga xhepi i këmishës dhe e hapi ngadalë. Ç’të shihnin ata! Një nepërkë e frikshme me ca sy të ndritur, u ngrit mbi pëllëmbën e tij, duke lëvizur kokën djathtas e majtas. Trupi i saj i ajthëm ngjyra - ngjyra, dridhej e përdridhej. Çunat u zbrapsën të tmerruar dhe krisën e ikën në pikë të vrapit.

Tri nga gratë e mëhallës, teksa fshinin para portave, flisnin edhe për punët e fshehta të Avdylit.

- Mirë, peshqit e ngjalat i zë dhe i nxjerr në pazar, po nepërkat kujt ia shet?- pyeti njëra.

- Ku i dihet? Çudi, thonë, se i shpie në spital! - ia ktheu e dyta.

- Unë them, - pëshpëriti e treta, - ia çon një plake në Palikësht, që merret me magjira…

Mësuesi i vjetër Ymeri, ndërsa kalonte aty pranë u ndal e u tha:

- Prapë me Avdylin, ju? Shihni punët tuaja!

Qysh atëherë, atë peshkatar plak, që mbante nëpër xhepa nepërka të mbështjella me shami, kur çunat e hasnin udhës, kalonin me dridhmë anash, veçse nuk harronin ta përshëndesnin:

- Mirëmëngjes, pepe Dydyl!

E ai u përgjigjej buzagaz:

- Mirëmëngjes, trimat e Dylit!

Një ditë u përhap një lajm i hidhur, Thanë, se xha Avdylin e pat pickuar keqas një nepërkë jeshile. Që nga ajo ditë e trishtuar, ai nuk u pa të dilte në breg të lumit, as në zall, as mbi shkëmb. Nuk e dëgjua më as kënga e tij aq e dashur: “O këndo, moj qyqe, se po vjen behari!”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat